Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 12:1-13

Mateu 12:1-13 AL1

Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Biri i njeriut është Zot i të shtunës». Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?». Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t'i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte? Sa herë më shumë vlen një njeri se një dele? Prandaj është e lejueshme të bësh mirë të shtunën». Pastaj i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe ajo u shërua tërësisht si tjetra.