Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 12:1-13

Mateu 12:1-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Një të shtunë Jezui po ecte përmes një fushe me grurë. Dishepujt e tij ishin të uritur e filluan të këpusnin kallinj gruri e të hanin. Por, kur farisenjtë e panë këtë gjë, i thanë Jezuit: «Ja, dishepujt e tu po bëjnë çka nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën». Jezui u tha: «A nuk e keni lexuar çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e kushtimit që nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo, nuk e keni lexuar në ligj sesi priftërinjtë ditën e shtunë e thyejnë ligjin e së shtunës në tempull dhe janë të pafajshëm? Por unë po ju them se këtu është dikush më i madh se tempulli. Dhe po ta kishit ditur se çfarë do të thotë: dëshiroj mëshirën e jo flijimin, nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Biri i njeriut është Zot i të shtunës». Jezui u largua që andej dhe hyri në sinagogën e tyre. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën të tharë. Atëherë, që të mund ta padisnin, ata e pyetën: «A është e lejueshme të shërosh të shtunave?». Por Jezui u tha: «Kush nga ju, po t'i binte në gropë një dele ditën e shtunë, nuk do ta kapte e ta nxirrte? Sa herë më shumë vlen një njeri se një dele? Prandaj është e lejueshme të bësh mirë të shtunën». Pastaj i tha atij njeriu: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe ajo u shërua tërësisht si tjetra.

Mateu 12:1-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t'i hanë. Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ''Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën''. Dhe ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë se ç'bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të? Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë? Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë? Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli. Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit. Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''. Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre; dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: ''A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?''. Dhe ai u tha atyre: ''A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë? E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?''. Atëherë ai i tha atij burri: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.