Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 8:27-56

Luka 8:27-56 AL1

Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!», sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t'i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt. Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika. Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli. Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye. Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi e i tha: «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui. Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin. Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeçe, ishte duke vdekur. Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët. Në grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur e askush nuk kishte mundur ta shëronte iu afrua nga pas, i preku cepin e gunës dhe menjëherë iu ndal hemorragjia. Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnë». Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje». Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë. Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe». Ndërsa po fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kryetarit të sinagogës e i tha: «Jot bijë vdiq. Mos e shqetëso më mësuesin». Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». Kur arriti te shtëpia, nuk lejoi askënd të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, të atit e të ëmës së vajzës. Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por Jezui tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle». Por ata e përqeshën, sepse e dinin se kishte vdekur. Atëherë Jezui e mori për dore e thirri: «Vashëz, ngrihu!». Asaj iu kthye shpirti e u ngrit menjëherë. Pastaj Jezui u tha t'i jepnin për të ngrënë. Prindërit e saj u mrekulluan, por ai i urdhëroi të mos i tregonin askujt për çfarë kishte ndodhur.

Video for Luka 8:27-56