Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj e mësues të ligjit të Moisiut që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi. Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte.
Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui e ta vinin para tij, por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet». Shkruesit dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». Jezui i kuptoi mendimet e tyre e u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”?. Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë e plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme».
Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai la gjithçka, u ngrit e i shkoi pas.
Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish e njerëzish të tjerë. Atëherë farisenjtë dhe shkruesit e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?». Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen».
Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pinë». Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijnë ditët kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë».
Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t'i përshtatet së vjetrës.
Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t'i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj.
Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”».