Luka 5:17-39
Luka 5:17-39 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj e mësues të ligjit të Moisiut që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi. Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte. Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui e ta vinin para tij, por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit. Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet». Shkruesit dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t'i falë mëkatet?». Jezui i kuptoi mendimet e tyre e u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”?. Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë e plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme». Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». Ai la gjithçka, u ngrit e i shkoi pas. Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish e njerëzish të tjerë. Atëherë farisenjtë dhe shkruesit e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?». Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen». Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pinë». Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? Por do të vijnë ditët kur do t'ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë». Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t'i përshtatet së vjetrës. Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t'i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm. Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinj. Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”».
Luka 5:17-39 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, për t'i shëruar. Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij. Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit. Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: ''Njeri, mëkatet e tua të janë falur''. Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: ''Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t'i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?''. Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: ''Ç'po arsyetoni në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur", apo të thuhet: "Çohu dhe ec"? Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!''. Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë. Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshin: ''Sot pamë gjëra të mahnitshme''. Dhe, mbas këtyre gjërave, ai doli dhe pa një tagrambledhës, që quhej Levi, dhe rrinte në vendin e tatimeve, dhe i tha: ''Ndiqmë''. Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi. Pastaj Levi i përgatiti në shtëpinë e tij një gosti të madhe, dhe një numër i madh tagrambledhësish e të tjerë rrinin në tryezë bashkë me ta. Por skribët dhe farisenjtë e atij vendi murmurisnin kundër dishepujve të Jezusit duke thënë: ''Përse hani dhe pini bashkë me tagrambledhës dhe mëkatarë?''. Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha: ''Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët. Unë nuk erdha t'i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët''. Atëherë ata i thanë: ''Përse dishepujt e Gjonit si dhe ata të farisenjve agjërojnë shpesh dhe luten, kurse të tutë hanë dhe pinë?''. Ai u përgjigj atyre: ''A mund t'i bëni dasmorët të agjërojnë, derisa dhëndri është me ta? Por do të vijnë ditët kur do t'ua heqin dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë''. Përveç kësaj ai u tregoi një shëmbëlltyrë: ''Askush nuk qep një copë të një rrobe të re mbi një rrobë të vjetër; përndryshe gjendet me rrobën e re të shqyer, dhe pjesa që u hoq nga rroba e re nuk i përshtatet së vjetrës. Dhe askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i pëlcet kacekët, dhe ajo derdhet e kacekët shkojnë dëm. Por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dyja ruhen. Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do menjëherë verë të re, sepse ai thotë: "E vjetra është më e mirë"''.