Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë ». Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t'ia jap kujt të dua. Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». Dhe Jezui i tha: «Është shkruar:
adhuro Zotin, Perëndinë tënd,
dhe shërbeji vetëm atij ».
Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, sepse është shkruar:
do t'i urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë
dhe:
do të të mbajnë në duart e tyre,
që mos të të ndeshë këmba në gur ».
Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ».
Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe.
Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin.
Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
« Shpirti i Zotit është mbi mua,
sepse ai më ka vajosur
për t'u shpallur ungjillin të varfërve .
Më ka dërguar
për t'u shpallur robërve lirinë
e për t'u kthyer të verbërve shikimin,
për të çliruar të shtypurit
e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ».
E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj».
Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria».
Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua.
Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me pushtet.