Luka 4:1-32
Luka 4:1-32 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukë ». Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t'ia jap kujt të dua. Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». Dhe Jezui i tha: «Është shkruar: adhuro Zotin, Perëndinë tënd, dhe shërbeji vetëm atij ». Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, sepse është shkruar: do t'i urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë dhe: do të të mbajnë në duart e tyre, që mos të të ndeshë këmba në gur ». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd ». Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe. Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin. Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: « Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse ai më ka vajosur për t'u shpallur ungjillin të varfërve . Më ka dërguar për t'u shpallur robërve lirinë e për t'u kthyer të verbërve shikimin, për të çliruar të shtypurit e për të shpallur vitin e hirit të Zotit ». E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. Jezui filloi t'u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj». Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria». Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua. Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me pushtet.
Luka 4:1-32 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë, ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria. Dhe djalli i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë''. Por Jezusi u përgjigj duke thënë: ''Është shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë"''. Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës. Dhe djalli i tha: ''Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m'u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua. Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja''. Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: ''Largohu prej meje, Satan. Është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij"''. Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej; sepse është shkruar: "Ai do t'u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë. Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur"''. Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Është thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''. Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe. Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth. Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë. Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar. I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar: ''Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit''. Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të. Atëherë ai nisi të thotë: ''Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja''. Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshin: ''Po ky, a nuk është biri i Jozefit?''. Dhe ai u tha atyre: ''Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: "Mjek, shëro veten tënde"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd''. Por ai tha: ''Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet. Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael; e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveçse te një grua e ve në Sareptë të Sidonit. Dhe në kohën e profetit Elise kishte shumë lebrosë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian''. Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë. Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë. Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua. Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna. Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.