Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 24:25-53

Luka 24:25-53 AL1

Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët. Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Jezui eci përpara, sikur donte të vazhdonte, por ata iu lutën shumë e i thanë: «Rri me ne, se po vjen mbrëmja e dita gati mbaroi». Atëherë ai shkoi e ndenji me ta. Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu e ua dha atyre. Atëherë atyre iu hapën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej tyre. Ata i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjte zemra kur na fliste gjatë udhës e kur na çelte Shkrimet?». Në atë çast u ngritën e shkuan në Jerusalem, ku gjetën të njëmbëdhjetët e të tjerët që ishin me ta e që po rrinin së bashku. Ata thoshin: «Zoti është ngjallur me të vërtetë dhe i është shfaqur Simonit». Atëherë dy dishepujt u treguan çfarë kishte ndodhur gjatë udhës dhe sesi u ishte bërë i njohur në thyerjen e bukës. Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezui qëndroi mes tyre e u tha: «Paqja me ju!». Ata u trembën e i zuri frika duke menduar se po shihnin një shpirt. Por ai u tha: «Përse keni frikë e përse lindin dyshime në zemrat tuaja? Shikojini duart e mia e këmbët e mia. Jam unë. Prekmëni e shikoni. Shpirti nuk ka mish e kocka siç shihni se kam unë». Dhe, pasi tha këto, u tregoi duart e këmbët. Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, Jezui u tha: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata i dhanë një copë peshk të pjekur. Ai e mori dhe e hëngri në praninë e tyre. Atëherë u tha: «Këto fjalë jua thashë kur isha ende me ju: gjithçka që është shkruar për mua në ligjin e Moisiut, te Profetët e te Psalmet, duhet të përmbushet». Pastaj ua hapi mendjet që të kuptonin Shkrimet e u tha: «Është shkruar se Krishti duhet të vuajë e të ngjallet prej të vdekurve të tretën ditë dhe të gjitha kombeve do t'u shpallet pendimi e falja e mëkateve, duke filluar nga Jerusalemi. Ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. Ja, unë po ju dërgoj premtimin e Atit tim, prandaj rrini këtu në qytet derisa të visheni me pushtet nga lart». Pastaj u priu deri në Betani, ngriti duart e i bekoi. Ndërsa po i bekonte, u largua prej tyre e u mor në qiell. Ata e adhuruan e u kthyen me gëzim të madh në Jerusalem ku rrinin pareshtur në tempull dhe bekonin Perëndinë.

Video for Luka 24:25-53