Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 23:26-43

Luka 23:26-43 AL1

Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”. Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: “Bini mbi ne” dhe kodrave: “Na mbuloni!”. Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?». Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t'i kryqëzuar bashkë me Jezuin. Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë». Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten». Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!». Mbi të gjendej ky mbishkrim: «Ky është mbreti i judenjve». Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!». Por tjetri e qortoi e i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai? Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe». Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde». Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë