Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 23:26-43

Luka 23:26-43 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”. Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: “Bini mbi ne” dhe kodrave: “Na mbuloni!”. Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?». Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t'i kryqëzuar bashkë me Jezuin. Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij. Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnë». Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij. Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten». Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!». Mbi të gjendej ky mbishkrim: «Ky është mbreti i judenjve». Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!». Por tjetri e qortoi e i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai? Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe». Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde». Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë».

Luka 23:26-43 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërsa po e çonin, kapën njëfarë Simoni nga Kirena, që po kthehej nga fusha, e ngarkuan me kryqin që ta mbarte pas Jezusit. Dhe e ndiqte një turmë e madhe populli dhe disa gra që hidhëroheshin dhe vajtonin për të. Por Jezusi u kthye nga ato dhe u tha: ''O bija të Jeruzalemit, mos qani për mua, por qani për veten tuaj dhe për fëmijët tuaj. Sepse ja, do të vijnë ditët kur do të thuhet: "Lum gratë shterpa dhe lum barqet që nuk kanë pjellë dhe gjinjtë që nuk kanë mëndur!". Atëherë do të fillojnë t'u thonë maleve: "Bini përmbi ne!", dhe kodrave: "Na mbuloni!". Sepse, në se bëhet kështu me drurin e njomë, ç'do të bëhet me të thatin?". Dhe dy të tjerë, që ishin keqbërës, i prunë bashkë me të, për t'i vrarë. Dhe kur arritën në vendin që quhet ''Kafka'', aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetri në të majtë. Dhe Jezusi tha: ''O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç'bëjnë''. Pastaj, pasi i ndanë rrobat e tij, hodhën short. Dhe populli rrinte aty për të parë; dhe kryetarët me popullin e përqeshnin, duke thënë: ''Ai i shpëtoi të tjerët, le të shpëtojë veten, po qe se me të vërtetë është Krishti, i zgjedhuri i Perëndisë''. Edhe ushtarët e tallnin, duke iu afruar dhe duke i ofruar uthull, dhe duke thënë: ''Nëse ti je mbreti i judenjve, shpëto veten''. Përveç kësaj përmbi kryet e tij ishte një mbishkrim me shkronja greke, latine dhe hebraike: "KY ËSHTË MBRETI I JUDENJVE". Tani një nga keqbërësit e kryqëzuar e shau duke thënë: ''Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe neve''. Por ai tjetri duke e përgjigjur e qortoi duke i thënë: ''A s'ke frikë nga Perëndia, që je nën të njëjtin dënim? Në realitet, ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi kryer, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe''. Pastaj i tha Jezusit: ''Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde''. Atëherë Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë''.