Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 22:54-71

Luka 22:54-71 AL1

Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg. Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre. Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë e tha: «Edhe ky njeri ishte me të». Por Pjetri e mohoi e tha: «Grua, unë nuk e njoh atë». Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin e tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri». Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas». Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërsa ai po fliste, këndoi gjeli. Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim. Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin. Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjeje kush të goditi?». Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera. Kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e çuan Jezuin në sinedrin e tyre e i thanë: «Nëse je Krishti, na e thuaj». Por Jezui u tha: «Po t'jua them, nuk do të më besoni, dhe po t'ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, por që tani Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm ». Atëherë të gjithë thanë: «A je ti, pra, Biri i Perëndisë?». Dhe Jezui u tha: «Ju po e thoni. Unë jam». Dhe ata thanë: «Për çfarë dëshmie tjetër kemi nevojë? E dëgjuam vetë nga goja e tij».

Video for Luka 22:54-71

Devocione dhe Plane Leximi falas për Luka 22:54-71