Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 2

2
Lindja e Jezuit
(Mt 1.18-25)
1Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për shënimin e tërë popullsisë. 2Shënimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë. 3Të gjithë shkonin për t'u shënuar, secili në qytetin e vet. 4Edhe Jozefi, që ishte nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit, 5për t'u shënuar së bashku me Marinë, të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë. 6Ndërsa ndodheshin në Betlehem, i erdhën ditët për të lindur 7dhe lindi birin e saj të parëlindur. E mbështolli në pelena dhe e vuri në grazhd, se në bujtinë nuk kishte vend për ta.
Barinjtë dhe engjëjt
8Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre. 9Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, 10por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: 11sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot. 12Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena e të shtrirë në grazhd». 13Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu:
14«Lavdi i qoftë Perëndisë
në lartësitë qiellore
e paqe në tokë
njerëzve që ai i ka për zemër».
15Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti». 16Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë me Jozefin e fëmijën të shtrirë në grazhd. 17Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën. 18Dhe të gjithë ata që dëgjuan mbetën të habitur nga tregimi i barinjve.
19Maria i ruante dhe i shqyrtonte të gjitha këto në zemrën e saj.
20Atëherë barinjtë u kthyen duke përlëvduar Perëndinë e duke i thurur lavde për gjithçka panë e dëgjuan, ashtu siç u qe thënë.
21Pas tetë ditësh, kur e rrethprenë, i vunë emrin Jezu, emrin që i kishte vënë engjëlli para se të ngjizej.
Jezui foshnjë në tempull
22Kur erdhi koha e pastrimit të tyre në tempull, sipas ligjit të Moisiut, Jozefi dhe Maria e çuan Jezuin në Jerusalem për t'ia paraqitur Zotit, 23siç është shkruar në ligjin e Zotit: çdo djalë i parë do t'i kushtohet Zotit 24dhe për të kushtuar flinë siç thuhet në ligjin e Zotit: një çift turtujsh ose dy pëllumba të vegjël.
25Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të. 26Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit. 27I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit, 28Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu:
29«Tani, o Zot,
lëre shërbëtorin tënd
të shkojë në paqe,
sipas fjalës sate,
30se me sytë e mi
e pashë shpëtimin tënd
31që ti e përgatite
në sytë e të gjithë popujve,
32dritë për të ndriçuar kombet
e lavdi për popullin tënd, Izraelin».
33I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të. 34Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, 35që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin».
36Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj 37e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur. 38Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit.
Kthimi në Nazaret
39Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret. 40Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të.
Jezui fëmijë në tempull
41Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës. 42Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit. 43Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t'u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë. 44Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën e pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit, 45por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. 46Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte e i pyeste. 47Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia e përgjigjet e tij. 48Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë e yt atë po të kërkonim gjithë ankth». 49Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?». 50Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij.
51Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret e u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër. 52Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë e njerëzve.

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 2: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

Video for Luka 2