Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 18:15-30

Luka 18:15-30 AL1

Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t'i prekte, por kur i shihnin, dishepujt i ndalonin. Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç'duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde! ». Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur. Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë». Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje». Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë, nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».

Video for Luka 18:15-30