Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 17:1-19

Luka 17:1-19 AL1

Jezui u tha dishepujve të vet: «Është e pamundur të mos vijnë pengesat, por mjerë kush i shkakton! Për të do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det, sesa t'u bëhej pengesë këtyre të vegjëlve. Kini kujdes! Nëse vëllai yt mëkaton, qortoje. Nëse pendohet, fale. Nëse mëkaton kundër teje shtatë herë në ditë e shtatë herë kthehet e të thotë “pendohem”, fale». Atëherë apostujt i thanë Zotit: «Na e shto besimin!». Dhe Zoti u tha: «Po të kishit besim sa fara e sinapit, do t'i thoshit këtij mani “shkulu që këtu e mbillu në det” dhe ai do t'ju bindej. Cili nga ju po të kishte një shërbëtor që plugon ose ruan dhentë, do t'i thoshte atij kur të kthehej nga ara: “Eja menjëherë e ulu në tryezë”? A nuk do t'i thoshte: “Ma bëj gati darkën, përvish mëngët e më shërbe që të ha e të pi unë e pastaj mund të hash e të pish edhe ti”? Mos vallë e falënderon shërbëtorin, sepse bëri detyrën? Kështu edhe ju, kur të bëni çfarë keni për detyrë, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Kemi bërë detyrën”». Kur po shkonte drejt Jerusalemit, Jezui kaloi përmes Samarisë e Galilesë. Si hyri në një fshat, iu afruan dhjetë të lebrosur. Ata rrinin larg e thërrisnin: «Jezu, mësues, ki mëshirë për ne!». Jezui i pa e u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë». Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan. Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan. Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë? Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t'i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?». Pastaj i tha atij: «Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi».