Luka 17:1-19
Luka 17:1-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui u tha dishepujve të vet: «Është e pamundur të mos vijnë pengesat, por mjerë kush i shkakton! Për të do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det, sesa t'u bëhej pengesë këtyre të vegjëlve. Kini kujdes! Nëse vëllai yt mëkaton, qortoje. Nëse pendohet, fale. Nëse mëkaton kundër teje shtatë herë në ditë e shtatë herë kthehet e të thotë “pendohem”, fale». Atëherë apostujt i thanë Zotit: «Na e shto besimin!». Dhe Zoti u tha: «Po të kishit besim sa fara e sinapit, do t'i thoshit këtij mani “shkulu që këtu e mbillu në det” dhe ai do t'ju bindej. Cili nga ju po të kishte një shërbëtor që plugon ose ruan dhentë, do t'i thoshte atij kur të kthehej nga ara: “Eja menjëherë e ulu në tryezë”? A nuk do t'i thoshte: “Ma bëj gati darkën, përvish mëngët e më shërbe që të ha e të pi unë e pastaj mund të hash e të pish edhe ti”? Mos vallë e falënderon shërbëtorin, sepse bëri detyrën? Kështu edhe ju, kur të bëni çfarë keni për detyrë, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Kemi bërë detyrën”». Kur po shkonte drejt Jerusalemit, Jezui kaloi përmes Samarisë e Galilesë. Si hyri në një fshat, iu afruan dhjetë të lebrosur. Ata rrinin larg e thërrisnin: «Jezu, mësues, ki mëshirë për ne!». Jezui i pa e u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë». Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan. Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan. Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë? Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t'i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?». Pastaj i tha atij: «Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi».
Luka 17:1-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Është e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë! Për të do të ishte më mirë t'i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël. Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale. Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem", fale''. Atëherë apostujt i thanë Zotit: ''Na e shto besimin''. Dhe Zoti tha: ''Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t'i thoshit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det", dhe ai do t'ju bindej. Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t'i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"? A nuk do t'i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"? Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo. Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: "Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim"''. Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile. Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrosë, të cilët ndaluan larg, dhe duke ngritur zërin, thanë: ''Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne''. Dhe ai, si i pa, u tha atyre: ''Shkoni e paraqituni te priftërinjtë''. Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan. Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte samaritan. Jezusi atëherë filloi të thotë: ''A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët? A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?''. Dhe i tha atij: ''Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi''.