Levitiku 4
4
Flija për mëkatin
1 Zoti i tha Moisiut: 2«Thuaju izraelitëve se kush mëkaton pa dashje kundër cilitdo urdhërimi të Zotit dhe bën çka nuk duhet të bëjë, 3nëse ai që mëkaton është prift i vajosur dhe e sjell kështu fajin mbi popullin, t'i kushtojë Zotit për mëkatin e kryer një mëzat të patëmetë si fli për mëkatin. 4Ta paraqesë mëzatin para Zotit te hyrja e tendës së takimit, t'i vërë dorën mbi kokë e ta therë para Zotit. 5Prifti i vajosur të marrë pak gjak prej mëzatit dhe ta paraqesë në tendën e takimit, 6ta ngjyejë gishtin në gjak e ta spërkatë gjakun shtatë herë para Zotit në drejtim të velit të shenjtërores. 7Mandej, të vërë pak gjak mbi brirët e altarit të temjanit erëmirë para Zotit në tendën e takimit. Pjesën tjetër të gjakut të mëzatit ta derdhë në themelet e altarit të flive të shkrumbimit në hyrje të tendës së takimit. 8Ta nxjerrë tërë dhjamin prej mëzatit të kushtuar si fli mëkati, dhjamin që mbulon zorrët dhe gjithë dhjamin përreth zorrëve, 9të dyja veshkat bashkë me dhjamin që i mbulon dhe me dhjamin e ijëve. Bulën mbi mëlçi ta heqë bashkë me veshkat, 10siç hiqen prej mëzatit që kushtohet si fli paqtimi. Prifti t'i shkrumbojë mbi altarin e flive të shkrumbimit. 11Lëkurën e mëzatit e gjithë mishin, bashkë me kokën e me këmbët, me zorrët e me rropullitë, 12krejt mëzatin, pra, ta nxjerrë jashtë fushimit në një vend të pastër, atje ku derdhet hiri, e ta djegë me zjarr në turrë të druve. Të digjet atje ku derdhet hiri.
13Nëse mbarë bashkësia e Izraelit gabon e bën pa dashje çka s'duhet bërë e që është kundër ndonjërit prej urdhërimeve të Zotit, bie në faj. 14Kur ta kuptojnë mëkatin që kanë bërë, tërë bashkësia të kushtojë një mëzat si fli për mëkatin. Ta paraqesin mëzatin te hyrja e tendës së takimit. 15Pleqësia e bashkësisë të vendosë duart mbi kokën e mëzatit para Zotit dhe ta therin po para Zotit. 16Prifti i vajosur të paraqesë pak gjak prej mëzatit në tendën e takimit, 17ta ngjyejë gishtin në gjak e të spërkatë gjakun shtatë herë para Zotit në drejtim të velit. 18Mandej, të vërë pak gjak mbi brirët e altarit para Zotit në tendën e takimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit të flive të shkrumbimit në hyrje të tendës së takimit. 19Ta nxjerrë tërë dhjamin prej mëzatit dhe ta shkrumbojë mbi altar. 20Të veprojë me mëzatin ashtu siç veproi me mëzatin për flinë e mëkatit. Prifti të kryejë shlyerjen për ta, që ata të marrin faljen. 21Mëzatin ta nxjerrë jashtë fushimit dhe ta djegë siç dogji mëzatin e mëparshëm. Kjo është flija për mëkatin e bashkësisë.
22Nëse ndonjë nga krerët e popullit gabon e bën pa dashje çka s'duhet bërë e që është kundër ndonjërit prej urdhërimeve të Zotit, Perëndisë së vet, ai bie në faj. 23Kur ta kuptojë mëkatin që ka bërë, të paraqesë një cjap të patëmetë. 24T'i vërë dorën mbi kokë cjapit, ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit dhe ta kushtojë si fli mëkati para Zotit. 25Mandej prifti ta ngjyejë gishtin në gjakun e flisë për mëkatin dhe të vërë pak gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit të flive të shkrumbimit. 26T'ia nxjerrë tërë dhjamin dhe ta shkrumbojë mbi altar, siç veproi me flinë e paqtimit. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit, që ai të marrë faljen.
27Nëse ndonjëri prej popullit të vendit mëkaton pa dashje e bën çka s'duhet bërë e që është kundër ndonjërit prej urdhërimeve të Zotit, ai bie në faj. 28Kur ta kuptojë mëkatin që ka bërë, të paraqesë një dhi të patëmetë për mëkatin që ka bërë. 29T'i vërë dorën mbi kokë flisë për mëkatin e ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit. 30Mandej, prifti ta ngjyejë gishtin në gjak dhe të vërë gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit. 31T'ia nxjerrë tërë dhjamin, siç veproi me flinë e paqtimit, e ta shkrumbojë mbi altar si fli erëkëndshme zjarri për Zotin. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit, që ai të marrë faljen.
32Nëse paraqet qengj si fli mëkati, të paraqesë një qengj femër të patëmetë. 33T'i vërë dorën mbi kokë flisë për mëkatin dhe ta therë në vendin ku theren flitë e shkrumbimit. 34Mandej, prifti ta ngjyejë gishtin në gjakun e flisë për mëkatin dhe të vërë gjak mbi brirët e altarit të flive të shkrumbimit. Pjesën tjetër të gjakut ta derdhë në themelet e altarit. 35T'ia nxjerrë tërë dhjamin, siç veproi me cjapin e flisë së paqtimit, dhe prifti ta shkrumbojë mbi altar si fli zjarri për Zotin. Prifti të kryejë për të shlyerjen e mëkatit që ka bërë dhe ai do të marrë faljen».
Aktualisht i përzgjedhur:
Levitiku 4: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020