Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 26:23-38

Levitiku 26:23-38 AL1

Nëse edhe pas këtyre nuk do të ndreqeni për t'u kthyer tek unë, por do të veproni kundër meje, edhe unë do të veproj kundër jush e do t'ju godas shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja. Do të dërgoj mbi ju shpatën hakmarrëse të besëlidhjes sime dhe, kur të mblidheni nëpër qytetet tuaja, do të dërgoj ndër ju murtajën e do të bini në dorë të armiqve. Kur t'jua thyej enën e bukës, vetëm dhjetë gra do të pjekin bukë për ju në një furrë të vetme dhe bukën do t'jua japin me masë. Do të hani, por nuk do të ngiheni. Nëse nuk më dëgjoni as kështu dhe veproni kundër meje, do të veproj edhe unë kundër jush i zemëruar e do t'ju ndëshkoj shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja. Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të ushqeheni me mishin e bijave tuaja. Faltoret tuaja në vende të larta do t'i shkatërroj, altarët e temjanit do t'i rrënoj, kufomat tuaja do t'i bëj pirg mbi kufomat e idhujve tuaj e do t'ju përbuz. Qytetet tuaja do t'i kthej në gërmadha, altarët tuaj do t'i rrënoj e nuk do ta nuhas erën e këndshme të flive tuaja. Do ta shkretoj tokën tuaj. Armiqtë tuaj, që banojnë në të, do të shtangen nga habia kur ta shohin, ndërsa ju do t'ju hapërdaj ndër kombe dhe do të vringëllij shpatën pas jush. Toka juaj do të mbetet e shkretë dhe qytetet tuaja do të kthehen në gërmadha. Atëherë toka do të shijojë prehjen e të shtunave të saj gjatë kohës që do të jetë e shkretë. Kur të jeni në vendin e armiqve tuaj, toka do të pushojë dhe do të shijojë të shtunat e saj. Do të prehet gjatë gjithë kohës që do të jetë e shkretë, sepse nuk pushoi gjatë të shtunave tuaja, kur banonit në të. Atyre që do të mbesin gjallë prej jush nëpër vendet e armiqve, do t'u fus në zemër tmerrin. Edhe fërfërima e gjethes që bie do t'i bëjë t'ia mbathin. Do të ikin prej shpatës dhe do të bien pa i ndjekur kush. Do të përplasen me njëri-tjetrin si të iknin prej shpatës, pa i ndjekur kush. Asnjëri prej jush nuk do t'i bëjë dot ballë armikut. Do të shuheni mes kombeve dhe do t'ju përpijë toka e armiqve tuaj.