Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 26:23-38

Levitiku 26:23-38 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Nëse edhe pas këtyre nuk do të ndreqeni për t'u kthyer tek unë, por do të veproni kundër meje, edhe unë do të veproj kundër jush e do t'ju godas shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja. Do të dërgoj mbi ju shpatën hakmarrëse të besëlidhjes sime dhe, kur të mblidheni nëpër qytetet tuaja, do të dërgoj ndër ju murtajën e do të bini në dorë të armiqve. Kur t'jua thyej enën e bukës, vetëm dhjetë gra do të pjekin bukë për ju në një furrë të vetme dhe bukën do t'jua japin me masë. Do të hani, por nuk do të ngiheni. Nëse nuk më dëgjoni as kështu dhe veproni kundër meje, do të veproj edhe unë kundër jush i zemëruar e do t'ju ndëshkoj shtatëfish për shkak të mëkateve tuaja. Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të ushqeheni me mishin e bijave tuaja. Faltoret tuaja në vende të larta do t'i shkatërroj, altarët e temjanit do t'i rrënoj, kufomat tuaja do t'i bëj pirg mbi kufomat e idhujve tuaj e do t'ju përbuz. Qytetet tuaja do t'i kthej në gërmadha, altarët tuaj do t'i rrënoj e nuk do ta nuhas erën e këndshme të flive tuaja. Do ta shkretoj tokën tuaj. Armiqtë tuaj, që banojnë në të, do të shtangen nga habia kur ta shohin, ndërsa ju do t'ju hapërdaj ndër kombe dhe do të vringëllij shpatën pas jush. Toka juaj do të mbetet e shkretë dhe qytetet tuaja do të kthehen në gërmadha. Atëherë toka do të shijojë prehjen e të shtunave të saj gjatë kohës që do të jetë e shkretë. Kur të jeni në vendin e armiqve tuaj, toka do të pushojë dhe do të shijojë të shtunat e saj. Do të prehet gjatë gjithë kohës që do të jetë e shkretë, sepse nuk pushoi gjatë të shtunave tuaja, kur banonit në të. Atyre që do të mbesin gjallë prej jush nëpër vendet e armiqve, do t'u fus në zemër tmerrin. Edhe fërfërima e gjethes që bie do t'i bëjë t'ia mbathin. Do të ikin prej shpatës dhe do të bien pa i ndjekur kush. Do të përplasen me njëri-tjetrin si të iknin prej shpatës, pa i ndjekur kush. Asnjëri prej jush nuk do t'i bëjë dot ballë armikut. Do të shuheni mes kombeve dhe do t'ju përpijë toka e armiqve tuaj.

Levitiku 26:23-38 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe në se, me gjithë këto gjëra, nuk do të ndreqeni për t'u kthyer tek unë, por me sjelljen tuaj silleni si armiq të mi, edhe unë do të bëhem armiku juaj, dhe do t'ju godas shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja. Dhe do të sjell kundër jush shpatën që do të kryejë hakmarrjen e besëlidhjes sime; ju do të mblidheni në qytetet tuaja, por unë do të dërgoj në mes jush murtajën dhe do të bini në duart e armikut. Kur do t'ju heq bukën e gojës, dhjetë gra do të pjekin bukën tuaj në të njëjtën furrë dhe do të racionojnë bukën tuaj, duke e shpërndarë me peshë; ju do të hani, por nuk do të ngopeni. Dhe në se, me gjithë këtë nuk do të më dëgjoni, por do të silleni si armiq të mi, edhe unë do të bëhem armiku i juaj plot mëri dhe do t'ju dënoj shtatë herë më shumë për mëkatet tuaja. Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të hani mishin e bijave tuaja. Unë do të shkatërroj vendet tuaja të larta, do të rrëzoj idhujt tuaj dhe do t'i hedh kufomat tuaja mbi gërmadhat pa jetë të idhujve tuaj; dhe do t'ju urrej. Do t'i katandis qytetet tuaja në shkretëtira, do të shkretoj vendet tuaja të shenjta dhe nuk do të thith më erën e këndshme të parfumeve tuaja. Do të shkretoj vendin; dhe armiqtë tuaj që banojnë në të do të mbeten të habitur. Do t'ju shpërndaj midis kombeve dhe do të nxjerr shpatën kundër jush; vendi juaj do të shkretohet dhe qytetet tuaja do të jenë të shkretuara. Atëherë toka do të gëzojë të shtunat e saj për gjithë kohën që do të jetë e shkretuar dhe ju do të jeni në vendin e armiqve tuaj; kështu toka do të pushojë dhe do të gëzojë të shtunat e saj. Për gjithë kohën që do të mbetet e shkretuar do të gëzojë pushimin që nuk pati në të shtunat tuaja, kur banonit në të. Atyre prej jush që do të shpëtojnë do t'u kall në zemër tmerrin në vendin e armiqve të tyre; fërfërima e një gjethi që lëviz do t'i bëjë që t'ua mbathin këmbëve; do të turren ashtu siç iket përpara shpatës dhe do të bien pa i ndjekur askush. Do të përplasen njëri me tjetrin, ashtu si përpara shpatës, pa i ndjekur askush; dhe nuk do të mund të qëndroni përpara armiqve tuaj. Do të shuheni midis kombeve dhe vendi i armiqve tuaj do t'ju gëlltisë.