Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 24

24
Vaji dhe buka e paraqitjes
1 Zoti i tha Moisiut: 2«Urdhëroji izraelitët të të sjellin vaj të pastër ulliri të shtrydhur, që llamba e shandanit të jetë e ndezur përherë. 3Aroni ta ndezë para Zotit nga mbrëmja deri në mëngjes në tendën e takimit, para velit që ndan dëshminë. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. 4Aroni të kujdeset për llambat mbi shandanin e artë, që të ndriçojnë përherë para Zotit.
5Merr mandej majë mielli e piq dymbëdhjetë kuleç. Çdo kulaç të jetë gjashtë kilogramë. 6Vendosi në dy radhë me nga gjashtë mbi tryezën e pastër para Zotit. 7Mbi çdo radhë vendos temjan të pastër, i cili do të jetë përkujtim për bukën e do të kushtohet si fli zjarri para Zotit. 8Këto bukë të vendosen përherë para Zotit, çdo të shtunë. Izraelitët t'i sjellin si besëlidhje të amshuar. 9Ato i përkasin Aronit e bijve të tij. T'i hanë në vendin e shenjtë, sepse për ta ato janë shumë të shenjta dhe pjesë e flive të zjarrit për Zotin. Ky është rregull i përhershëm».
Fyerja ndaj Zotit
10Një herë, biri i një gruaje izraelite dhe i një burri egjiptian doli mes izraelitëve e u grind me të birin e një gruaje izraelite dhe të një burri izraelit. 11I biri i izraelites fyeu e mallkoi emrin e Zotit. Atëherë e çuan te Moisiu. E ëma e tij quhej Shelomita dhe ajo ishte bija e Dibriut, prej fisit të Danit. 12Të birin ia vunë nën rojë, derisa t'u dëftehej vullneti i Zotit.
13Atëherë Zoti i tha Moisiut: 14«Nxirreni jashtë fushimit atë që më fyeu. Të gjithë ata që e dëgjuan t'i vënë duart mbi kokën e tij dhe tërë bashkësia ta vrasë me gurë. 15Ndërsa izraelitëve thuaju: kush fyen Perëndinë e vet, të mbajë peshën e mëkatit të vet. 16Kush shan emrin e Zotit, të dënohet me vdekje. Bashkësia të vrasë me gurë të huajin, edhe vendasin. Kush shan emrin e Zotit, të vritet. 17Kush merr jetë njeriu, të vritet. 18Kush vret një kafshë, ta shpaguajë; jetë për jetë. 19Atij që i shkakton plagë të afërtit, siç bëri t'i bëhet; 20thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb. Çfarë plage i shkaktoi tjetrit, t'i bëhet edhe atij. 21Kush vret një kafshë, ta shpaguajë, por kush vret një njeri, të vritet. 22Mbani të njëjtin rregull për të huajin dhe për vendasin, sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj».
23Moisiu foli me izraelitët dhe ata e nxorën jashtë fushimit atë që kishte fyer Zotin dhe e vranë me gurë. Izraelitët bënë siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Aktualisht i përzgjedhur:

Levitiku 24: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr