Levitiku 23
23
E shtuna dhe Pashka
1 Zoti i tha Moisiut: 2«Fol me izraelitët e thuaju: këto janë të kremtet e Zotit, të cilat do t'i shpallni si mbledhje të shenjta. Ja cilat janë këto të kremte: 3do të punoni gjashtë ditë, ndërsa dita e shtatë do të jetë e shtunë, ditë pushimi e plotë dhe mbledhje e shenjtë. Mos bëni asnjë punë, sepse e shtuna është në nder të Zotit në të gjitha vendbanimet tuaja.
4Këto janë të kremtet e Zotit, mbledhjet e shenjta që do të kremtoni në kohën e caktuar për to.
5Në ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë, në mbrëmje, kremtohet Pashka në nder të Zotit. 6Ditën e pesëmbëdhjetë të po këtij muaji festohet e kremtja e Bukëve të ndorme në nder të Zotit. Për shtatë ditë hani bukë të ndorme. 7Ditën e parë bëni një mbledhje të shenjtë e mos punoni. 8Për shtatë ditë t'i kushtoni Zotit fli zjarri. Edhe ditën e shtatë bëni një takim të shenjtë e mos punoni».
Korrjet e para
9 Zoti i tha Moisiut: 10«Fol me izraelitët e thuaju: kur të hyni në tokën që po ju jap dhe të korrni prodhimet e saj, dorëzën e parë të korrjes çojeni te prifti. 11Prifti ta lartësojë dorëzën para Zotit, që t'ju pranohet. Prifti ta lartësojë në ditën pas së shtunës. 12Ditën që lartësoni dorëzën, kushtojini Zotit si fli shkrumbimi një qengj motak të patëmetë. 13Flija e drithit, që do të kushtoni bashkë me të, të jetë gjashtë kilogramë majë mielli përzier me vaj si fli erëkëndshme zjarri për Zotin, ndërsa flija e stërpikjes të jetë një litër e gjysmë verë. 14Mos hani as bukë, as kokrra të pjekura e as kallinj të njomë deri ditën që do t'i kushtoni flinë Perëndisë tuaj. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja».
Festa e Javëve
15«Nga dita pas së shtunës, pra, nga dita që do të keni sjellë dorëzën si fli lartësimi, numëroni shtatë javë të plota. 16Numëroni pesëdhjetë ditë nga dita pas së shtunës dhe pastaj kushtoni një fli të re drithi për Zotin. 17Sillni prej banesave tuaja nga dy bukë për flinë e lartësimit. Bukët të jenë përgatitur me tre kilogramë majë mielli e të gatuhen me tharm, si fryti i parë për Zotin. 18Bashkë me bukën kushtoni edhe shtatë qengja motakë të patëmetë, një mëzat të vogël e dy desh si fli shkrumbimi për Zotin, bashkë me flinë e drithit e me flinë e stërpikjes, si fli erëkëndshme zjarri për Zotin. 19Kushtoni edhe një cjap si fli mëkati dhe dy qengja motakë si fli paqtimi. 20Prifti t'i lartësojë dy qengjat bashkë me bukët e fryteve të para si fli lartësimi para Zotit. Këto do t'i shenjtërohen Zotit dhe i takojnë priftit. 21Po këtë ditë do të shpallni një mbledhje të shenjtë dhe atë ditë nuk do të punoni. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja. 22Kur të korrni prodhimet e tokës suaj, gjatë korrjes mos i korrni anët e arës dhe mos i mblidhni kallinjtë e mbetur, por lërini për skamnorët e për shtegtarët. Unë jam Zoti, Perëndia juaj».
E kremtja e Trumbetave
23 Zoti i tha Moisiut: 24«Fol me izraelitët e thuaju: Dita e parë e muajit të shtatë të jetë ditë pushimi të plotë. Do të jetë ditë përkujtimore e shpallur me trumbetë, ditë mbledhjeje të shenjtë. 25Nuk do të punoni e do t'i kushtoni Zotit fli zjarri».
Dita e Shlyerjes
26 Zoti i tha Moisiut: 27«Dita e dhjetë e po këtij muaji të shtatë do të jetë dita e Shlyerjes. Bëni një mbledhje të shenjtë, përulni veten dhe kushtoni fli zjarri për Zotin. 28Atë ditë mos punoni, sepse ajo është ditë shlyerjeje, kur ju bëni shlyerjen e mëkateve tuaja para Zotit, Perëndisë tuaj. 29Kushdo që nuk e përul veten atë ditë, të zhbihet prej popullit. 30Këdo që punon atë ditë, unë do ta zhbij prej popullit të tij. 31Mos bëni, pra, asnjë punë. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë në të gjitha vendbanimet tuaja. 32Do të jetë për ju ditë pushimi e plotë dhe do ta përulni veten. Ditën e nëntë të muajit do të pushoni, siç bëni të shtunave, nga mbrëmja deri në mbrëmjen e së nesërmes».
E kremtja e Kasolleve
33 Zoti i tha Moisiut: 34«Fol me izraelitët e thuaju: ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë, do të jetë festa e Kasolleve, të cilën do ta kremtoni për shtatë ditë në nder të Zotit. 35Ditën e parë bëni një mbledhje të shenjtë e mos punoni. 36Për shtatë ditë kushtojini Zotit fli zjarri, ndërsa ditën e tetë bëni një mbledhje të shenjtë e kushtojini Zotit fli zjarri. Kjo është ditë mbledhjeje madhështore, prandaj mos punoni.
37Këto, pra, janë të kremtet e Zotit, të cilat do t'i shpallni si mbledhje të shenjta dhe do t'i kushtoni Zotit fli zjarri, fli shkrumbimi, fli drithi, flitë ose flinë e stërpikjes, sipas rregullit të ditës, 38pa përfshirë të shtunat e Zotit, dhuratat e kushtimet, flitë vullnetare, që i kushtoni Zotit.
39Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë, kur të keni vjelë prodhimet e tokës, kremtoni për shtatë ditë në nder të Zotit. Ditën e parë dhe ditën e tetë bëni pushim të plotë. 40Ditën e parë merrni fruta nga pemët më të mira, degë palme, degë me gjethe të dendura dhe degë shelgjesh e gëzoni në prani të Zotit, Perëndisë tuaj, për shtatë ditë. 41Kremtojeni këtë festë të Zotit për shtatë ditë çdo vit. Ky është rregull i përhershëm për të gjitha breznitë. Kremtojeni në muajin e shtatë. 42Jetoni në kasolle për shtatë ditë. Të gjithë të lindurit në Izrael të banojnë në kasolle, 43që breznitë tuaja të ardhshme ta dinë sesi i bëra izraelitët të jetojnë në kasolle, kur i nxora prej tokës së Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj». 44Moisiu u tregoi izraelitëve për të kremtet e Zotit.
Aktualisht i përzgjedhur:
Levitiku 23: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020