Levitiku 19
19
Rregulla shenjtërimi
1 Zoti i tha Moisiut: 2«Fol me mbarë bashkësinë e izraelitëve e thuaju: jini të shenjtë, se unë, Zoti, Perëndia juaj, jam i shenjtë. 3Secili prej jush ta nderojë të ëmën e të atin. Mbajini të shtunat e mia. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. 4Mos u ktheni tek idhujt e rremë e mos bëni për vete shtatore idhujsh. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
5Kur t'i kushtoni Zotit fli paqtimi, kushtoni siç duhet, që të pranoheni prej tij. 6Flija të hahet ditën që është kushtuar ose të nesërmen, por ç'të mbetet për të pasnesërmen, të digjet në zjarr. 7Nëse hahet të pasnesërmen, është mish i papastër dhe nuk do të pranohet. 8Kush ha, të mbajë mbi vete fajin, sepse ka përdhosur gjënë e shenjtë të Zotit. Ai njeri të zhbihet prej popullit të vet. 9Kur të korrni prodhimet e tokës suaj, mos e korrni deri në skaj të arës. Kallinjtë që kanë rënë, mos i mblidhni. 10Mos kalo sërish nëpër vresht për të mbledhur vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri për të varfrin e për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
11Mos vidhni e mos gënjeni. Mos e mashtroni njëri-tjetrin. 12Mos bëni betim të rremë në emrin tim, duke përdhosur kështu emrin e Perëndisë tuaj. Unë jam Zoti.
13Mos përfito prej të afërtit e mos i rrëmbe gjë. Fitimin e mëditësit mos e mbaj deri në mëngjes. 14Mos e mallko të shurdhrin e mos i vër pengesa të verbrit, por druaje Perëndinë tënd. Unë jam Zoti.
15Mos bëni padrejtësi nëpër gjyqe. Mos mbaj anën e të varfrit e mos e përkrah të fortin, por gjykoje të afërtin me drejtësi. 16Mos përhap shpifje nëpër popull e mos merr pjesë në gjakderdhje kundër të afërtit tënd. Unë jam Zoti.
17Mos e urre në zemër vëllanë tënd, por qortoje të afërtin, që të mos mbash barrën e mëkatit të tij. 18Mos merr hak e mos mbaj mëri me bijtë e popullit tënd. Duaje të afërtin si veten. Unë jam Zoti.
19Mbajini vendimet e mia! Mos mbarështo kafshë të llojeve të ndryshme, arën mos e mbill me farëra të ndryshme e mos vish rroba të bëra me dy lloje stofesh. 20Nëse një burrë bie në shtrat me një skllave të fejuar me një burrë tjetër, por që nuk është shpenguar apo nuk i është dhënë liria, le të ndëshkohen, por të mos vriten, sepse ajo nuk ishte e lirë. 21Ai burrë t'i sjellë Zotit, si fli për fajin, një dash te hyrja e tendës së takimit. 22Me dashin e flisë për fajin, prifti të kryejë për të para Zotit shlyerjen për mëkatin dhe atij do t'i falet mëkati që ka bërë.
23Kur të keni hyrë në tokën tuaj e të keni mbjellë lloje të ndryshme pemësh frutore, mbajini frutat e tokës si të ndaluara#19.23 ose: të parrethprera. Për tre vjet do t'i keni të ndaluara e nuk do t'i hani. 24Vitin e katërt të gjitha frutat e saj të shenjtërohen për Zotin si fli lavdërimi. 25Vetëm vitin e pestë mund t'i hani frutat e saj, që prodhimi t'ju shtohet. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
26Mos hani asgjë me gjak. Mos ushtroni as shortarinë, as magjinë. 27Mos i qethni rrumbullak flokët e mos e shkurtoni mjekrën. 28Mos e çirrni trupin për të vdekurit e mos mbishkruani asnjë figurinë mbi lëkurë. Unë jam Zoti.
29Mos e çndero tët bijë, duke e bërë lavire, që vendi të mos jepet pas kurvërisë e të mos mbushet me fëlligështi. 30Mbajini të shtunat e mia dhe druajeni shenjtëroren time. Unë jam Zoti.
31Mos u jepni pas atyre që thërrasin shpirtra të vdekurish e pas yshtësve, që të mos bëheni të papastër prej tyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj. 32Ngrihuni në këmbë para flokëthinjurve, nderojeni të moshuarin dhe druajeni Perëndinë tuaj. Unë jam Zoti.
33Nëse një i huaj vjen të banojë me ju në tokën tuaj, mos e trajtoni keq. 34Të huajin që banon me ju mbajeni si vendasin dhe duajeni si veten, sepse edhe ju keni qenë të huaj në tokën e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
35Mos bëni padrejtësi në gjyqe, në masat e gjatësisë, të peshës e të vëllimit. 36Masat e peshoret t'i keni të sakta, efahun e hinin aq sa duhen. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxora prej tokës së Egjiptit.
37Mbajini të gjitha rregullat e mia dhe të gjitha vendimet e mia e zbatojini ato. Unë jam Zoti».
Aktualisht i përzgjedhur:
Levitiku 19: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020