Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Vajtimet 3

3
Alef
1Njeriu që e pa mjerimin, jam unë,
nën shkopin e zemërimit të tij.
Alef
2Ai më shtyu e më endi
në errësirën pa dritë.
Alef
3Ai e ktheu dorën e tij
gjithmonë veç kundër meje.
Bet
4Blojë m'i bëri eshtrat,
më shkretoi mish e lëkurë.
Bet
5Bëri ledhe kundër meje,
helm e stërmundim.
Bet
6Brenda errësirës më vendosi,
si të vdekurit e kahershëm.
Gimel
7Gardh ngriti rreth meje e dot nuk dal,
më hodhi vargonj të rëndë.
Gimel
8Gërthas e kërkoj ndihmë,
por prapë ma hedh poshtë lutjen.
Gimel
9Gurë të latuar vuri për të m'i mbyllur rrugët,
shtigjet m'i dredhoi.
Dalet
10Doli kundër meje si ariu në pritë,
si luan i fshehur.
Dalet
11Drejtimin ma humbi,
më shqeu e më shkretoi.
Dalet
12Drejtoi harkun e vet
e më bëri shënjestër për shigjetë.
He
13Hodhi kundër veshkave të mia
shigjetat e kukurës së vet.
He
14Habia e popullit tim u bëra,
këngë qesëndie për ta tërë kohën.
He
15Hidhërime më dha sa u ngiva,
më dehu me pelin.
Vau
16Varrë m'i bëri dhëmbët me gurë,
me shtiu në hi.
Vau
17Vërtiti larg paqen nga shpirti im,
e kam harruar mirësinë.
Vau
18«Venitet pritshmëria ime», thashë,
«Ardhmëria që do të vinte prej Zotit».
Zain
19Zë e kujtoj pikëllimin dhe endjen time,
si të ishin pelin e helm.
Zain
20Zaliset shpirti im,
kur kujton e kujton.
Zain
21Ziejnë në zemrën time këto gjëra,
prandaj kam shpresë:
Het
22«Hiri i mirësisë së Zotit nuk shterohet,
s'ka fund mëshira e tij.
Het
23Herët në mëngjes përtërihen,
e madhe është besnikëria e tij.
Het
24“Hisja ime është Zoti”, thotë shpirti im,
“Prandaj edhe shpresoj në të”».
Tet
25Tregohet i mirë Zoti
për ata që shpresojnë në të,
për ata që e kërkojnë me shpirt.
Tet
26Të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit
është gjë e mirë.
Tet
27Të mbartë zgjedhën që në rini
është gjë e mirë për një burrë.
Jod
28Jetën ta kalojë i vetmuar e i heshtur
ai që Zoti e ka rënduar.
Jod
29Ja, ta ulë fytyrën gjer në pluhur,
se mbase ka shpresë.
Jod
30Ja, t'ia kthejë faqen ndëshkuesit,
të dendet me poshtërime.
Kaf
31Kurrë Zoti
nuk përjashton përgjithmonë.
Kaf
32Ka mëshirë sipas mirësisë së tij të madhe
edhe nëse ndëshkon.
Kaf
33Kurrë nuk e çon pikëllimin me gjithë zemër,
as i poshtëron njerëzit.
Lamed
34Le të shtypen me këmbë
të gjithë të burgosurit e tokës,
Lamed
35le t'i shtrembërohet e drejta njeriut
para të Tejlartit,
Lamed
36le t'i përmbyset çështja njeriut,
a nuk shikon Zoti?
Mem
37Mos dikush flet e ajo gjë bëhet
pa e urdhëruar Zoti?
Mem
38Mirësitë e ligësitë a nuk dalin
prej gojës së të Tejlartit?
Mem
39Mos të ankohet asnjë njeri i gjallë
pse i ndëshkohen mëkatet.
Nun
40Ne duhet t'i shqyrtojmë sjelljet tona,
t'i peshojmë e të kthehemi te Zoti.
Nun
41Kah Perëndia në qiell
t'i ngremë zemrat e duart.
Nun
42Ne bëmë shkelje e kryeneçësi,
ti nuk e dhe faljen.
Samek
43S'na përdëlleve, por na vrave,
na përndoqe i mbështjellë me zemërim.
Samek
44Sajove një re rreth teje
që nuk e shpon as lutja.
Samek
45Stërvinë e mbeturinë na bëre
në mes të popujve.
Fe
46Fshajnë me gojë kundër nesh
të gjithë armiqtë tanë.
Fe
47Frika e gropa na zunë,
rrënimi e dërrmimi.
Fe
48Furi lotësh më rrjedhin nga sytë
për thyerjen e bijës së popullit tim.
Ain
49Ajohen sytë e mi pa ndalur,
se nuk ka pushim,
Ain
50aq kohë sa Zoti të mos këqyrë
e të shikojë nga qielli.
Ain
51Angështohet shpirti im kur shoh me sy
bijat e qytetit tim.
Cade
52Cytësit e mi pa shkak
më gjuajnë siç gjuhet shpendi.
Cade
53Copë ma bënë jetën,
më mbytën në pus, më gjuajtën me gurë.
Cade
54Currila uji më vërshuan mbi kokë
e thashë: «Mbarova!».
Kof
55Kërkova emrin tënd, o Zot,
nga thellësitë e honit.
Kof
56Klithmën time e dëgjove: «Mos i mbyll veshët
ndaj psherëtimës e britmës sime».
Kof
57Kur të thirra, ti u afrove
e the: «Mos ki frikë!».
Resh
58Rastin tim, o Zot, ti e mbrojte,
ma shpagove jetën.
Resh
59Rrengun që më bënë e pe, o Zot:
gjykoje çështjen time!
Resh
60Ra në sytë e tu tërë hakmarrja e tyre,
tërë shestimet e tyre kundër meje.
Sin
61Sharjen e tyre e dëgjove, o Zot,
dhe tërë shestimet e tyre kundër meje.
Sin
62Shfrejnë kundër meje gjithë ditën
buzët e kundërshtarëve të mi.
Sin
63Shikoi kur ulen e kur ngrihen,
unë jam shpotia e tyre.
Tau
64Ti jepua shpërblimin, o Zot,
sipas veprave të duarve të tyre.
Tau
65Topitua zemrën,
lëshoju mallkimin.
Tau
66Tërë zemërim përndiqi e rrënoji
nën qiellin e Zotit.

Aktualisht i përzgjedhur:

Vajtimet 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë