Jozuehu 18
18
Ndarja e tokës për fiset e tjera
1E gjithë bashkësia e izraelitëve u mblodh në Shiloh e aty ngritën tendën e takimit. Tashmë izraelitët e kishin pushtuar të gjithë vendin, 2por shtatë nga fiset e izraelitëve kishin mbetur ende pa e marrë trashëgiminë. 3Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Deri kur do të rrini duarkryq pa e marrë tokën që ju ka dhënë Zoti, Perëndia i etërve tuaj? 4Zgjidhni nga tre burra për fis, që t'i dërgoj për të përshkuar vendin e për të përshkruar pjesën e tyre të trashëgimisë. Kur të kthehen, të paraqiten tek unë. 5Tokën ta ndajnë mes tyre në shtatë pjesë. Fisi i Judës i ka tokat e veta në jug, ndërsa fiset e Jozefit i kanë më në veri. 6Ndarjen e tokës në shtatë pjesë shkruajeni me hollësi dhe pjesët e shkruara m'i sillni mua, që të hedh shortin në prani të Zotit, Perëndisë tonë. 7Levitët nuk do të kenë pjesë me ju, sepse priftëria e Zotit është trashëgimia e tyre. Gadi, Rubeni e gjysma e fisit të Manaseut e kanë marrë pronën në anën tjetër të Jordanit, në bregun lindor të tij. Ua dha vetë Moisiu, shërbëtori i Zotit».
8Kur burrat po niseshin për të bërë përshkrimin e tokës, Jozuehu u tha: «Shkoni e bëjeni mirë përshkrimin e tokës. Kur të ktheheni, pjesët e shkruara m'i sillni mua këtu në Shiloh, që të hedh shortin në prani të Zotit». 9Burrat u nisën dhe e përshkuan mbarë tokën. Ndarjen në shtatë pjesë e shkruan me hollësi, qytet më qytet, e ia sollën Jozuehut në fushimin e Shilohut. 10Jozuehu hodhi shortin për ta në Shiloh, në prani të Zotit, e aty ua ndau tokën izraelitëve sipas pjesës që u ra.
Trojet e Benjaminit
11Pjesa e parë u ra me short pasardhësve të Benjaminit, sipas klaneve. Tokat e tyre shtriheshin ndërmjet pasardhësve të Judës e pasardhësve të Jozefit. 12Kufiri verior fillonte nga Jordani, ngjitej në veri të shpateve të Jerikosë dhe, si kalonte krahinën malore për nga perëndimi, përfundonte në shkretëtirën e Bet Avenit. 13Më pas kufiri shkonte drejt Luzit, kalonte në jug të shpateve të Luzit, që është Beteli, e zbriste në Atarot Adar, përmes malit në jug të Bet Horonit të poshtëm. 14Nga ana perëndimore e malit, në jug të Bet Horonit të poshtëm, kufiri kthente drejt jugut e përfundonte në Kirjat Baal, që është Kirjat Jearimi, qytet i pasardhësve të Judës. Ky ishte krahu perëndimor. 15Ana jugore e kufirit fillonte në Kirjat Jearim e shtrihej drejt perëndimit deri te burimet e Neftoahut. 16Pastaj kufiri zbriste deri në fund të malit kundruall luginës së Ben Hinomit, në veri të luginës së refaitëve. Prej aty zbriste nëpër luginën e Ben Hinomit, kalonte nëpër shpatet jugore të jebusitëve dhe përfundonte në En Rogel. 17Si kthente drejt veriut, shkonte për në En Shemesh, pastaj në Geliot, kundruall përpjetës së Adumimit, e zbriste drejt shkëmbit të Bohanit, birit të Rubenit. 18Më pas kalonte shpatet veriore përballë Arabahut e zbriste për në Arabah. 19Pastaj kufiri kalonte në veri të shpateve të Bet Hoglahut dhe arrinte në skajin më të largët të gjirit verior të detit të Kripur, në grykëderdhjen jugore të Jordanit. Ky ishte kufiri jugor. 20Në lindje kufizohej me Jordanin. Kjo ishte trashëgimia dhe këta ishin kufijtë e pasardhësve të Benjaminit, sipas klaneve.
21Qytetet që i përkisnin fisit të Benjaminit, sipas klaneve, ishin Jerikoja, Bet Hoglahu, Emek Kecici, 22Bet Arabahu, Cemaraimi, Beteli, 23Avahu, Parahu, Ofrahu, 24Kafaramoni, Ofniu e Geba, gjithsej dymbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. 25Qytetet e tjera ishin Gibeoni, Ramahu, Beroti, 26Micpahu, Kefirahu, Mocahu, 27Rekemi, Irpeeli, Taralahu, 28Cela Elefi, qyteti i jebusitëve, që është Jerusalemi, Gibeahu e Kirjati, gjithsej katërmbëdhjetë qytete me fshatrat përreth. Kjo ishte trashëgimia e pasardhësve të Benjaminit, sipas klaneve.
Aktualisht i përzgjedhur:
Jozuehu 18: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020