Jobi 41
41
1«Ja, ti shpreson e zhgënjehesh,
e shikon dhe rrëzohesh.
2Nuk ka trim që ta ngacmojë
e kush mund t'i bëjë ballë?
3Kush e sulmoi dhe shpëtoi?
Kush vallë nën qiellin mbarë?
4Nuk do ta mbuloj me heshtje forcën e ijëve të tija,
as hijeshinë e shtatit të tij.
5Kush vallë ia zhveshi petkun?
Kush hyri vallë ndër nofullat e tij?
6Kush mund t'ia hapë kanatet e gojës,
se me tmerr i ka të rrethuar dhëmbët.
7E mbulojnë radhët madhështore të shqytit,
e kyçin fort si me vulë.
8Aq puthiten me njëra-tjetrën,
sa përmes tyre as era s'kalon.
9Kapen fort me njëra-tjetrën,
ngjiten e më nuk shqiten.
10Teshtima e tij shpërthen si dritë
e si qepallat e agimit i ka sytë.
11Nga goja i dalin flakërima,
shkëndija zjarri i vërshojnë.
12Nga hundët tymi i del,
si prej kazanit mbi zjarrin që i fryhet.
13Fryma e tij i përndez thëngjijtë
e flaka prej gojës i del.
14Në qafë e ka forcën
e përballë tij dridhet tmerri.
15Të ngjeshura i ka palët e mishit
që është i ngurtë e nuk lëviz.
16Zemrën e ka të ngurtë si gurin,
të ngurtë si gurin e poshtëm të mullirit.
17Kur ai ngrihet, të fortët frikësohen,
kur ai përplaset, ata trullosen.
18Nëse e godet shpata, nuk i ngulet,
as heshta, as shigjeta, as shtiza.
19Si kashtë është hekuri për të
e bronzi si dru i kalbur.
20Nuk ikën fare as nga shigjeta
e gurët e hobes i duken si byk.
21Si byk i duket edhe shkopi
e qeshet me vringëllimën e shtizës.
22Nën bark ka tjegulla majëmprehta
e në deltinë lesën e shtrin.
23E flluskos detin si kazan,
si enë vajrash e bën.
24Nga pas lë një shteg vezullues
e humnera duket thinjoshe.
25Nuk ka mbi tokë si ai,
krijuar për të mos u trembur.
26Vrojton nga lart gjithçka,
është mbret mbi tërë bishat krenare».
Aktualisht i përzgjedhur:
Jobi 41: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020