Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 40

40
Përgjigjja e Jobit
1 Zoti i foli sërish Jobit e tha:
2«A ka qortues që ndeshet me të gjithëpushtetshmin?
Le të përgjigjet ai që do të ndreqë Perëndinë!».
3Jobi iu përgjigj Zotit e tha:
4«Ja, kurrgjë s'jam! Si të të përgjigjem?
Gojën me dorë do ta mbyll.
5Një herë fola e më nuk përgjigjem.
Madje dy herë, por nuk do të vijoj».
Përgjigjja e Zotit
6Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:
7«Ngjishi ijët si burrë,
se unë do të të pyes e ti do të më përgjigjesh.
8A do ta mohosh edhe drejtësinë time?
A do të më fajësosh mua për të shfajësuar veten?
9Mos e ke krahun si Perëndia?
A është si zëri i tij gjëmimi yt?
10Mbështillu, pra, me madhështi e krenari,
me lavdi e nder vishu!
11Zbraze gufimin e zemërimit tënd,
shikoji krenarët e poshtëroi,
12shikoji krenarët e përuli,
shkeli të paudhët kudo të gjenden.
13Fshihi njëherësh në pluhur
e në fshehtësi mbyllua fytyrën.
14Atëherë edhe unë do të dëshmoj
se e djathta jote të shpëton.
15Shiko Behemotin, që e bëra si ti,
ai ha bar si kau.
16Shiko sa të fuqishme i ka ijët
e sa të forta muskujt e barkut.
17E ngre bishtin si cedër
e kofshët i ka të endura me deje.
18Eshtrat e tij si gypa bronzi,
brinjët e tij si shufra hekuri.
19Ai është vepra e parë e Perëndisë
e vetëm krijuesi i tij mund t'i qaset me shpatë.
20Malet ia japin ushqimin
e tërë egërsirat që në to lodrojnë.
21Nën lotus shtrihet
në kallamishten e dendur e në moçal.
22Lotuset me hije e mbulojnë
e shelgjet bri vaut e rrethojnë.
23Nuk trembet as kur lumi fryhet,
është i sigurt edhe po t'i mbërrijë Jordani gjer në gojë.
24A e verbon dhe e kap dot?
A ia zë njeri turinjtë në kurth?
25 # 40.25-32 të tjerë i rendisin si 41.1-8 A mund ta zësh Leviatanin me grep
e t'ia mbash gjuhën me tërkuzë?
26A mund t'ia lidhësh hundën me xunkth
e t'ia shposh nofullën me kanxhë?
27Mos vallë do të të përgjërohet shumë
e do të të flasë ëmbël?
28A do të lidhë besën me ty
e ti do ta marrësh përgjithmonë si shërbëtor?
29A do të luash me të si me një zog,
apo do ta lidhësh për vajzat e tua?
30A do ta nxjerrin në shitje ortakët
e tregtarët do ta ndajnë mes tyre?
31A do t'ia mbushësh lëkurën me fuzhnja
e kokën me grepa peshku?
32Vër dorë në të e mbaje mend luftimin,
e më nuk do ta përsëritësh».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jobi 40: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr