Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 39:1-30

Jobi 39:1-30 AL1

«A e di ti kur pjellin dhitë e malit? A i ke vrojtuar drenushat kur lindin? Ua ke njehur vallë plotësimin e muajve? Ua di vallë kohën e pjelljes, kur shtrihen e lindin të vegjlit dhe nxjerrin në dritë frytin e dhimbjes? Mëkëmben këlyshët e tyre e rriten përjashta, ikin e më tek ato nuk kthehen. Kush e lëshoi në liri gomarin e egër? Kush ia zgjidhi litarin mushkës, të cilës i caktova si shtëpi shkretëtirën e si vendbanim dheun kripor? Ai e përqesh rrëmujën e qytetit e nuk i dëgjon klithmat e ndjekësve. Endet kullotave të veta malore e kërkon çdo bimë të blertë. A pranon bizoni të të shërbejë? A e kalon natën në stallën tënde? A e vë dot në brazdë për laku? A do të vijë pas teje duke pluguar? A do t'i zësh besë atij, se është shumë i fortë, e do t'ia ngarkosh atij punën tënde? A beson se ai do të kthehet e do ta sjellë farën në lëmë? Gëzueshëm i rreh krahët struci, por zogjtë i bën pa pendë e pupla, vezët përtokë i vë e në pluhur i ngroh, ndonëse këmba mund t'i shkelë e bisha mund t'i shtypë. Ashpër sillet me zogjtë, a thua se s'janë të vetët e s'ka frikë se punon kot. Se ia hoqi Perëndia urtinë e s'ia dha zgjuarsinë. Kur ngrihet e flatron, kalë e kalorës përqesh. A ia jep ti kalit fuqinë? Krifën në qafë, vallë, ti ia vure? A e bën ti të kërcejë si karkalec? Hingëllima e tij madhështore tmerron. Hareshëm thundron me forcë në luginë, armëve përballë u del. E përbuz frikën e nuk tutet, nuk zbythet para shpatës. Nga pas i tringëllon kukura, heshta përshkënditëse e shtiza. Me tërbim e furi dheun ha e as zëri i borisë nuk e ndal. Kur bie boria, thotë: “Hihi!”. Nga larg nuhat luftën, britmën e prijësve e gjëmën e betejës. Mos flatron skifteri falë dijes sate e krahët drejt jugut i hap? Mos vallë nën urdhrin tënd lartohet shqiponja e në lartësi folenë vë? Mbi shkëmb ajo ngul e mbi prita kreshtash shkëmbore bun. Prej andej e vrojton prenë, prej larg sytë e saj e shohin. Zogjtë e saj pinë gjak e ku ka të vrarë, aty ajo gjendet».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë