Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 39:1-30

Jobi 39:1-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«A e di ti kur pjellin dhitë e malit? A i ke vrojtuar drenushat kur lindin? Ua ke njehur vallë plotësimin e muajve? Ua di vallë kohën e pjelljes, kur shtrihen e lindin të vegjlit dhe nxjerrin në dritë frytin e dhimbjes? Mëkëmben këlyshët e tyre e rriten përjashta, ikin e më tek ato nuk kthehen. Kush e lëshoi në liri gomarin e egër? Kush ia zgjidhi litarin mushkës, të cilës i caktova si shtëpi shkretëtirën e si vendbanim dheun kripor? Ai e përqesh rrëmujën e qytetit e nuk i dëgjon klithmat e ndjekësve. Endet kullotave të veta malore e kërkon çdo bimë të blertë. A pranon bizoni të të shërbejë? A e kalon natën në stallën tënde? A e vë dot në brazdë për laku? A do të vijë pas teje duke pluguar? A do t'i zësh besë atij, se është shumë i fortë, e do t'ia ngarkosh atij punën tënde? A beson se ai do të kthehet e do ta sjellë farën në lëmë? Gëzueshëm i rreh krahët struci, por zogjtë i bën pa pendë e pupla, vezët përtokë i vë e në pluhur i ngroh, ndonëse këmba mund t'i shkelë e bisha mund t'i shtypë. Ashpër sillet me zogjtë, a thua se s'janë të vetët e s'ka frikë se punon kot. Se ia hoqi Perëndia urtinë e s'ia dha zgjuarsinë. Kur ngrihet e flatron, kalë e kalorës përqesh. A ia jep ti kalit fuqinë? Krifën në qafë, vallë, ti ia vure? A e bën ti të kërcejë si karkalec? Hingëllima e tij madhështore tmerron. Hareshëm thundron me forcë në luginë, armëve përballë u del. E përbuz frikën e nuk tutet, nuk zbythet para shpatës. Nga pas i tringëllon kukura, heshta përshkënditëse e shtiza. Me tërbim e furi dheun ha e as zëri i borisë nuk e ndal. Kur bie boria, thotë: “Hihi!”. Nga larg nuhat luftën, britmën e prijësve e gjëmën e betejës. Mos flatron skifteri falë dijes sate e krahët drejt jugut i hap? Mos vallë nën urdhrin tënd lartohet shqiponja e në lartësi folenë vë? Mbi shkëmb ajo ngul e mbi prita kreshtash shkëmbore bun. Prej andej e vrojton prenë, prej larg sytë e saj e shohin. Zogjtë e saj pinë gjak e ku ka të vrarë, aty ajo gjendet».

Jobi 39:1-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave? A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin? Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre. Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre. Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër, të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë? Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie. Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër. Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd? A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje? A do t'i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t'ia lësh atij punën tënde? A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë? Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut. Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur. duke harruar që një këmbë mund t'i shtypë ose një kafshë e fushave mund t'i shkelë. I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë, sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi. Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij. A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten? A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr. Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë. Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës. Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta. Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria. Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës. Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathata dhe i hap krahët e tij drejt jugut? Është vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta? Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirëta. Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg. Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo".