Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 38:1-41

Jobi 38:1-41 AL1

Atëherë Perëndia iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha: «Kush është ky që e zymton këshillën me fjalë pa kuptim? Ngjishe brezin si burrë, se unë do të të pyes e ti do të më mësosh. Ku ishe ti kur unë hodha themelet e tokës? Fol, nëse e njihke kuptimin! Kush ia caktoi përmasat, po e dite? Kush e mati me litar? Mbi çfarë u hodhën themelet e saj ose kush ia vuri gurin e këndit, kur yjet e mëngjesit tok gumëzhinin e të gjithë bijtë e Perëndisë brohorisnin? Kush ia mbylli dyert detit, kur shpërtheu e nga barku doli, kur retë ia bëra si petka e sterrën si shpërgënj? Unë ia caktova caqet e dyerve ua vura shulin, pastaj thashë: “Deri këtu do të vish e jo më tej! Këtu do të të thyhen dallgët krenare”. Vallë, gjatë jetës, a e urdhërove mëngjesin? Po agut, a ia tregove vendin, që tokën për cepash ta kapte e t'i shkundte prej saj të paudhët? Ajo shndërrohet si deltina nën vulë e ngjyhet si petku. Mëkatarëve u përvidhet drita e u copëtohet krahu i ngritur. A mbërrite dot te burimet e detit? A shëtite vallë në fund të humnerës? A t'u shfaqën ty dyert e vdekjes? Po dyert e terratisjes i ke parë vallë? A ta ka rrokur mendja hapësirën e dheut? Trego, në i di tërë këto! Nga bie rruga për ku banon drita? Po errësira, ku e ka vendin, që ta mbash brenda cakut të saj e shtegun e shtëpisë së saj ta dallosh? Patjetër ti e di, sepse kishe lindur e i madh është numri i ditëve të tua. A ke hyrë në hangarët e borës? Po drithnikët e breshrit, i ke parë? Unë i ruaj për kohë ngushtice, për ditë beteje e luftimi. Për cilën udhë shpërndahet drita e përhapet juga mbi dhe? Kush ia hapi hullinë ujit përmbytës e shtegun vetëtimës gjëmuese, për të sjellë shi në tokën pa njeri, mbi shkretëtirën ku nuk shkel njerëzia, për të ngopur thatinën e shkretinë, që djerrina bar të qesë? A ka shiu atë? Po pikat e vesës, vallë, kush i lindi? Prej barkut të kujt u lind akulli? Po brymën prej qiellit, kush e lindi vallë? Si gur ngurtësohet uji e ngrin faqja e honit. A mund t'i lidhësh ti vargjet e Shenjëzave, apo Orionit t'ia zgjidhësh vargoin? A e qet në kohë Yllin e Mëngjesit dhe a e drejton dot Arushën me zogj? Ai i njeh vallë ligjet e qiellit? A i vendos dot në tokë rregullat e tij? A mund t'i urdhërosh retë që të të mbulojë uji përmbytës? A mund t'i lëshosh vetëtimat e a do të nisen duke thënë: “Si urdhëron”? Kush ia caktoi brendisë urtinë e kush ia dha mendjes kuptimin? Kush mund t'i numërojë retë me urti e kush i zbraz kacekët e qiellit kur pluhuri ngjishet tok e plisat ngurtësohen? A e gjuan dot prenë e luanit? Po këlyshëve të tij, a ua shuan urinë, kur mblidhen kruspull në strofull apo kur presin në shkurrnajë? Kush ia gatit korbit ushqimin, kur zogjtë e tij Perëndinë thërrasin e përenden pa ushqim?».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë