Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jobi 38:1-41

Jobi 38:1-41 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë Perëndia iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha: «Kush është ky që e zymton këshillën me fjalë pa kuptim? Ngjishe brezin si burrë, se unë do të të pyes e ti do të më mësosh. Ku ishe ti kur unë hodha themelet e tokës? Fol, nëse e njihke kuptimin! Kush ia caktoi përmasat, po e dite? Kush e mati me litar? Mbi çfarë u hodhën themelet e saj ose kush ia vuri gurin e këndit, kur yjet e mëngjesit tok gumëzhinin e të gjithë bijtë e Perëndisë brohorisnin? Kush ia mbylli dyert detit, kur shpërtheu e nga barku doli, kur retë ia bëra si petka e sterrën si shpërgënj? Unë ia caktova caqet e dyerve ua vura shulin, pastaj thashë: “Deri këtu do të vish e jo më tej! Këtu do të të thyhen dallgët krenare”. Vallë, gjatë jetës, a e urdhërove mëngjesin? Po agut, a ia tregove vendin, që tokën për cepash ta kapte e t'i shkundte prej saj të paudhët? Ajo shndërrohet si deltina nën vulë e ngjyhet si petku. Mëkatarëve u përvidhet drita e u copëtohet krahu i ngritur. A mbërrite dot te burimet e detit? A shëtite vallë në fund të humnerës? A t'u shfaqën ty dyert e vdekjes? Po dyert e terratisjes i ke parë vallë? A ta ka rrokur mendja hapësirën e dheut? Trego, në i di tërë këto! Nga bie rruga për ku banon drita? Po errësira, ku e ka vendin, që ta mbash brenda cakut të saj e shtegun e shtëpisë së saj ta dallosh? Patjetër ti e di, sepse kishe lindur e i madh është numri i ditëve të tua. A ke hyrë në hangarët e borës? Po drithnikët e breshrit, i ke parë? Unë i ruaj për kohë ngushtice, për ditë beteje e luftimi. Për cilën udhë shpërndahet drita e përhapet juga mbi dhe? Kush ia hapi hullinë ujit përmbytës e shtegun vetëtimës gjëmuese, për të sjellë shi në tokën pa njeri, mbi shkretëtirën ku nuk shkel njerëzia, për të ngopur thatinën e shkretinë, që djerrina bar të qesë? A ka shiu atë? Po pikat e vesës, vallë, kush i lindi? Prej barkut të kujt u lind akulli? Po brymën prej qiellit, kush e lindi vallë? Si gur ngurtësohet uji e ngrin faqja e honit. A mund t'i lidhësh ti vargjet e Shenjëzave, apo Orionit t'ia zgjidhësh vargoin? A e qet në kohë Yllin e Mëngjesit dhe a e drejton dot Arushën me zogj? Ai i njeh vallë ligjet e qiellit? A i vendos dot në tokë rregullat e tij? A mund t'i urdhërosh retë që të të mbulojë uji përmbytës? A mund t'i lëshosh vetëtimat e a do të nisen duke thënë: “Si urdhëron”? Kush ia caktoi brendisë urtinë e kush ia dha mendjes kuptimin? Kush mund t'i numërojë retë me urti e kush i zbraz kacekët e qiellit kur pluhuri ngjishet tok e plisat ngurtësohen? A e gjuan dot prenë e luanit? Po këlyshëve të tij, a ua shuan urinë, kur mblidhen kruspull në strofull apo kur presin në shkurrnajë? Kush ia gatit korbit ushqimin, kur zogjtë e tij Perëndinë thërrasin e përenden pa ushqim?».

Jobi 38:1-41 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha: "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim? Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh. Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi. Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur? Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes, kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi? Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës, kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena? Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta, dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"? Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit, që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij? Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje. Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet. A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës? Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes? A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto! Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij, që ti të mund t'i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij? Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh. Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshrit, që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës? Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë? Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve, që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri, për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari? Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës? Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit? Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin. A mund t'i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit? A i bën ti të duken yjësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj? A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë? A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm? Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?". Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës? Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre? A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit, kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre? Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?