Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 9:18-38

Gjoni 9:18-38 AL1

Derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër e tani shihte. Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?». Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër, por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten». Prindërit e tij i thanë këto, se kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti. Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!». Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh». Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t'i hapi sytë?». Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë e nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?». Ata e fyen e i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut. Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është». Ai u përgjigj: «Është për t'u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë. E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton e që bën vullnetin e tij. Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër. Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë». Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë. Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti e i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?». Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?». Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty». «Besoj, o Zot!», i tha ai e ra në gjunjë para tij.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë