Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 9:18-38

Gjoni 9:18-38 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Derisa thirrën prindërit e tij, judenjtë nuk donin të besonin se ai kishte qenë i verbër e tani shihte. Pastaj i pyetën prindërit e tij: «A është ky biri juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? E si shihka tani?». Prindërit e tij u përgjigjën: «E dimë se ky është biri ynë dhe se ka lindur i verbër, por nuk e dimë sesi sheh tani, as se kush ia hapi sytë. Pyeteni vetë, ai e ka moshën për të folur për veten». Prindërit e tij i thanë këto, se kishin frikë nga judenjtë, të cilët kishin vendosur të përjashtonin nga sinagoga këdo që do të rrëfente se Jezui është Krishti. Prandaj edhe prindërit e tij thanë: «Ai e ka moshën, pyeteni vetë!». Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër e i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar». Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër e tani shoh». Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t'i hapi sytë?». Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë e nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?». Ata e fyen e i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut. Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është». Ai u përgjigj: «Është për t'u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë. E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton e që bën vullnetin e tij. Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër. Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë». Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate e do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë. Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti e i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?». Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?». Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty». «Besoj, o Zot!», i tha ai e ra në gjunjë para tij.

Gjoni 9:18-38 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve. Dhe i pyetën ata: ''A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?''. Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: ''E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër, por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t'ju flasë për veten e vet''. Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga judenjtë; sepse judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga. Prandaj prindërit e tij thanë: ''Moshë ka, pyeteni atë''. Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: ''Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar''. Ai atëherë u përgjigj dhe tha: ''Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh''. E pyetën përsëri: ''Ç'të bëri? Si t'i ka hapur sytë?''. Ai u përgjigj atyre: ''Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?''. Por ata e fyen dhe thanë: ''Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut! Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është''. Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: ''E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m'i hapi sytë! Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush i druhet Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon! Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t'ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër. Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë''. Ata u përgjigjën dhe i thanë: ''Ti ke lindur i tëri në mëkate e do të na mësosh?''. Dhe e nxorën jashtë. Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: ''A beson ti në Birin e Perëndisë?''. Ai u përgjigj dhe tha: ''Kush është, Zot, që unë të besoj në të?''. Dhe Jezusi i tha: ''Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet''. Atëherë ai tha: ''Unë besoj, o Zot''; dhe e adhuroi.