Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 6:25-59

Gjoni 6:25-59 AL1

Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se ju nuk më kërkoni pse patë shenja, por sepse hëngrët prej bukëve e u ngopët. Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetën e amshuar, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse atij ia dha të drejtën Perëndia, Ati». Atëherë ata i thanë: «Çfarë duhet të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?». Jezui u përgjigj: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai dërgoi!». Ata i thanë: «Çfarë shenje mund të bësh që ta shohim e të të besojmë? Çfarë vepre mund të bësh? Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, sikurse është shkruar: u dha për të ngrënë bukë prej qiellit ». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, sepse buka e Perëndisë është ai që zbret prej qiellit e i jep jetë botës». Atëherë ata i thanë: «Zot, na e jep përherë këtë bukë!». Jezui u tha: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje. Por ju thashë se më keni parë e megjithatë nuk besoni. Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë, sepse nuk kam zbritur prej qiellit për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. Vullneti i atij që më dërgoi është të mos humbas asnjë nga ata që më dha, por t'i ngjall në ditën e fundit. Vullneti i Atit tim është që të gjithë ata që shikojnë Birin e besojnë në të, të kenë jetë të amshuar dhe unë do t'i ngjall në ditën e fundit». Atëherë judenjtë filluan të murmuritnin kundër Jezuit, se kishte thënë: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit». Ata thoshin: «A nuk është ky Jezui, biri i Jozefit, të cilit ia njohim të atin e të ëmën? Si na thënka tani “unë kam zbritur prej qiellit”?». Jezui u përgjigj: «Mos murmurisni me njëri-tjetrin! Askush nuk mund të vijë tek unë nëse nuk e tërheq Ati që më dërgoi e unë ta ngjall në ditën e fundit. Është shkruar te profetët: të gjithë do të mësojnë prej Perëndisë. Kushdo që dëgjon Atin dhe mëson prej tij, vjen tek unë. Kjo nuk do të thotë se ndokush e ka parë Atin. Vetëm ai që është pranë Perëndisë e ka parë Atin. Me të vërtetë po ju them: ai që beson ka jetën e amshuar. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë. Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im që e jap për jetën e botës». Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut e nuk pini gjakun e tij, nuk keni jetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, sepse mishi im është ushqim i vërtetë e gjaku im pije e vërtetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua e unë në të. Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj e vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim». Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë