Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 6:25-59

Gjoni 6:25-59 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur e gjetën në bregun tjetër të liqenit, i thanë: «Mësues, kur erdhe këtu?». Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se ju nuk më kërkoni pse patë shenja, por sepse hëngrët prej bukëve e u ngopët. Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetën e amshuar, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse atij ia dha të drejtën Perëndia, Ati». Atëherë ata i thanë: «Çfarë duhet të bëjmë që të kryejmë veprat e Perëndisë?». Jezui u përgjigj: «Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai dërgoi!». Ata i thanë: «Çfarë shenje mund të bësh që ta shohim e të të besojmë? Çfarë vepre mund të bësh? Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, sikurse është shkruar: u dha për të ngrënë bukë prej qiellit ». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit, por Ati im ju jep bukën e vërtetë prej qiellit, sepse buka e Perëndisë është ai që zbret prej qiellit e i jep jetë botës». Atëherë ata i thanë: «Zot, na e jep përherë këtë bukë!». Jezui u tha: «Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë nuk do të ketë më uri dhe kush beson në mua nuk do të ketë më kurrë etje. Por ju thashë se më keni parë e megjithatë nuk besoni. Të gjithë ata që më jep Ati do të vijnë tek unë dhe atë që vjen tek unë nuk do ta hedh kurrë jashtë, sepse nuk kam zbritur prej qiellit për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. Vullneti i atij që më dërgoi është të mos humbas asnjë nga ata që më dha, por t'i ngjall në ditën e fundit. Vullneti i Atit tim është që të gjithë ata që shikojnë Birin e besojnë në të, të kenë jetë të amshuar dhe unë do t'i ngjall në ditën e fundit». Atëherë judenjtë filluan të murmuritnin kundër Jezuit, se kishte thënë: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit». Ata thoshin: «A nuk është ky Jezui, biri i Jozefit, të cilit ia njohim të atin e të ëmën? Si na thënka tani “unë kam zbritur prej qiellit”?». Jezui u përgjigj: «Mos murmurisni me njëri-tjetrin! Askush nuk mund të vijë tek unë nëse nuk e tërheq Ati që më dërgoi e unë ta ngjall në ditën e fundit. Është shkruar te profetët: të gjithë do të mësojnë prej Perëndisë. Kushdo që dëgjon Atin dhe mëson prej tij, vjen tek unë. Kjo nuk do të thotë se ndokush e ka parë Atin. Vetëm ai që është pranë Perëndisë e ka parë Atin. Me të vërtetë po ju them: ai që beson ka jetën e amshuar. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. Por kjo është buka që zbret prej qiellit. Kush ha prej saj nuk vdes kurrë. Unë jam buka e gjallë që zbret prej qiellit. Kush ha nga kjo bukë do të jetojë në amshim. Buka që do të jap unë është mishi im që e jap për jetën e botës». Atëherë judenjtë filluan të grinden me njëri-tjetrin e thoshin: «Si mundet ky të na japë mishin e vet për të ngrënë?». Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them: nëse nuk hani mishin e Birit të njeriut e nuk pini gjakun e tij, nuk keni jetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të amshuar dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit, sepse mishi im është ushqim i vërtetë e gjaku im pije e vërtetë. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ai mbetet në mua e unë në të. Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi e unë jetoj nëpërmjet tij, kështu edhe kush më ha mua do të jetojë nëpërmjet meje. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo si mana që hëngrën etërit tuaj e vdiqën. Kush ha këtë bukë do të jetojë në amshim». Jezui i tha këto në sinagogë kur mësonte njerëzit në Kafarnaum.

Gjoni 6:25-59 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Kur e gjetën përtej detit i thanë: ''Mësues, kur erdhe këtu?'' Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se ju më kërkoni jo pse patë shenja, por sepse keni ngrënë nga bukët dhe keni qenë të ngopur. Mos punoni për ushqimin që prishet, por për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t'jua japë Biri i njeriut, sepse mbi të Ati, domethënë Perëndia, vuri vulën e tij.'' Atëherë e pyetën: ''Çfarë duhet të bëjmë për të kryer veprat e Perëndisë?''. Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Kjo është vepra e Perëndisë: të besoni në atë që ai ka dërguar.'' Atëherë ata i thanë: ''Çfarë shenjë bën ti, pra, që ne ta shohim e ta besojmë? Ç'vepër po kryen? Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë, siç është shkruar: "Ai u dha të hanë bukë nga qielli"''. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës''. Atëherë ata i thanë: ''Zot, na jep gjithmonë atë bukë''. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje. Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni. Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë, sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar. Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t'i ringjall në ditën e fundit. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit''. Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: ''Unë jam buka që zbriti nga qielli'', dhe thoshin: ''Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?''. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Mos murmurisni midis jush. Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Në profetët është shkruar: "Të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia". Çdo njeri, pra, që ka dëgjuar dhe mësuar nga Ati, vjen tek unë. Jo s'e ka parë ndonjë Atin, përveç atij që është nga Perëndia; ky e ka parë Atin. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush beson në mua ka jetë të përjetshme. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës''. Atëherë judenjtë filluan të diskutojnë njëri me tjetrin duke thënë: ''Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?''. Prandaj Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim. Kjo është buka që zbriti nga qielli; nuk është si mana që hëngrën etërit tuaj dhe vdiqën; kush ha këtë bukë do të jetojë përjetë''. Këto gjëra tha Jezusi në sinagogë, duke mësuar në Kapernaum.