Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 4:1-45

Gjoni 4:1-45 AL1

Kur Jezui mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar që ai po bënte më shumë dishepuj se Gjoni dhe se po pagëzonte, ndonëse nuk pagëzonte Jezui vetë, por dishepujt e tij, la Judenë e shkoi përsëri në Galile. Për të arritur atje, i duhej të kalonte nëpër Samari. Kështu mbërriti në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, pranë arës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të tij. Atje ndodhej pusi i Jakobit. Jezui, i lodhur nga rruga, u ul te pusi. Ora ishte rreth dymbëdhjetë e drekës. Ndërkohë që dishepujt kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime, një grua nga Samaria erdhi për të mbushur ujë. Jezui i tha: «Më jep të pi!». Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët. Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij e ai do të të jepte ujë të gjallë». Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë e pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë? Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë e me bagëtitë». Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vij më këtu për të mbushur ujë». Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd e kthehu këtu». Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, se ke pasur pesë burra e ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. Etërit tanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem». Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në Shpirt e në të vërtetë». Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas». Atëherë mbërritën dishepujt e tij e u çuditën që po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?» apo: «Përse flet me të?». Gruaja la shtambën e shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?». Kështu ata dolën nga qyteti e shkuan te Jezui. Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi e të përmbush veprën e tij. Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj e vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!”. Ai që korr merr shpërblimin e grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, edhe mbjellësi, edhe korrësi. Sepse është e vërtetë fjala “njëri mbjell e tjetri korr”. Unë ju dërgova të korrni atë për çka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan e ju gëzuat frytet e mundimit të tyre». Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë shpëtimtari i botës!». Pas këtyre dy ditëve, Jezui iku prej andej e shkoi në Galile. Vetë ai kishte thënë se asnjë profet nuk nderohet në vendlindjen e tij, por kur mbërriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë gjithçka kishte bërë gjatë festës në Jerusalem, pasi edhe ata kishin qenë atje për festë.