Gjoni 4:1-45
Gjoni 4:1-45 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur Jezui mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar që ai po bënte më shumë dishepuj se Gjoni dhe se po pagëzonte, ndonëse nuk pagëzonte Jezui vetë, por dishepujt e tij, la Judenë e shkoi përsëri në Galile. Për të arritur atje, i duhej të kalonte nëpër Samari. Kështu mbërriti në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, pranë arës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të tij. Atje ndodhej pusi i Jakobit. Jezui, i lodhur nga rruga, u ul te pusi. Ora ishte rreth dymbëdhjetë e drekës. Ndërkohë që dishepujt kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime, një grua nga Samaria erdhi për të mbushur ujë. Jezui i tha: «Më jep të pi!». Gruaja samaritane i tha: «Ti që je jude, si kërkon të pish ujë nga unë që jam grua samaritane?». Dihet se judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët. Jezui u përgjigj: «Sikur ta njihje dhuratën e Perëndisë dhe atë që po të kërkon për të pirë, atëherë ti do të kërkoje prej tij e ai do të të jepte ujë të gjallë». Gruaja i tha: «Zotëri, ti nuk ke kovë e pusi është i thellë. Ku do ta gjesh ujin e gjallë? Mos je ti më i madh se Jakobi, ati ynë, që na e dha këtë pus? Ai vetë ka pirë prej këtij pusi bashkë me të bijtë e me bagëtitë». Jezui u përgjigj: «Kushdo që pi nga ky ujë do të ketë etje përsëri, por ai që do të pijë nga uji që do t'i jap unë, nuk do të ketë kurrë më etje. Uji që unë do t'i jap do të bëhet brenda tij burim për jetën e amshuar». Gruaja i tha: «Zotëri, jepma këtë ujë, që të mos kem më etje e të mos vij më këtu për të mbushur ujë». Jezui i tha: «Shko, thirr burrin tënd e kthehu këtu». Gruaja iu përgjigj: «Nuk kam burrë». Jezui i tha: «Mirë e the, nuk ke burrë, se ke pasur pesë burra e ky që ke tani nuk është burri yt. Këtu ke thënë të vërtetën». Gruaja i tha: «Zotëri, po shoh se je profet. Etërit tanë e kanë adhuruar Perëndinë në këtë mal, ndërsa ju thoni se vendi ku duhet adhuruar Perëndia është në Jerusalem». Atëherë Jezui i tha: «Më beso, o grua, se po vjen koha kur nuk do ta adhuroni Atin as në këtë mal, as në Jerusalem. Ju adhuroni atë që nuk e njihni. Ne adhurojmë atë që njohim, sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. Po vjen koha, e tashmë ka ardhur, kur adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Perëndinë në Shpirt e në të vërtetë, se të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është shpirt dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në Shpirt e në të vërtetë». Gruaja i tha: «Unë e di se do të vijë Mesia që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na tregojë gjithçka». Jezui i tha: «Unë jam, unë që po të flas». Atëherë mbërritën dishepujt e tij e u çuditën që po fliste me një grua. Megjithatë askush nuk i tha: «Çfarë kërkon?» apo: «Përse flet me të?». Gruaja la shtambën e shkoi në qytet për t'u thënë njerëzve: «Ejani e shikoni një njeri që më tregoi gjithçka që kam bërë. Të jetë vallë ai Krishti?». Kështu ata dolën nga qyteti e shkuan te Jezui. Ndërkohë dishepujt po i luteshin: «Mësues, ha diçka!». Por ai u tha: «Unë kam një ushqim që ju nuk e njihni». Atëherë dishepujt filluan të pyesin njëri-tjetrin: «Mos i solli ndokush për të ngrënë?». Jezui u tha: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi e të përmbush veprën e tij. Ju keni një thënie: “Edhe katër muaj e vijnë të korrat”. Ndërsa unë ju them: “Hapni sytë e shikoni fushat që verdhojnë, gati për t'u korrur!”. Ai që korr merr shpërblimin e grumbullon fryte për jetën e amshuar, që të gëzohen së bashku, edhe mbjellësi, edhe korrësi. Sepse është e vërtetë fjala “njëri mbjell e tjetri korr”. Unë ju dërgova të korrni atë për çka ju nuk u munduat. Të tjerë u munduan e ju gëzuat frytet e mundimit të tyre». Shumë nga samaritanët e atij qyteti besuan në Jezuin nga dëshmia e gruas që thoshte: «Më tregoi gjithçka që kam bërë». Kur shkuan tek ai, samaritanët iu lutën të qëndronte me ta dhe ai qëndroi atje dy ditë. Edhe më shumë njerëz besuan në të kur dëgjuan fjalët e tij. Ndërsa gruas i thoshin: «Tani nuk besojmë më vetëm nga fjalët e tua, sepse e dëgjuam vetë dhe e dimë se ky është me të vërtetë shpëtimtari i botës!». Pas këtyre dy ditëve, Jezui iku prej andej e shkoi në Galile. Vetë ai kishte thënë se asnjë profet nuk nderohet në vendlindjen e tij, por kur mbërriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë gjithçka kishte bërë gjatë festës në Jerusalem, pasi edhe ata kishin qenë atje për festë.
Gjoni 4:1-45 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij), e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile. Por duhej të kalonte nëpër Samari. Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet. Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë. Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: ''Më jep të pi'', sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime. Por gruaja samaritane i tha: ''Po qysh, ti që je jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?'' (Sepse judenjtë nuk shoqërohen me samaritanët). Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!", ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë''. Gruaja i tha: ''Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë? Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje, por kush pi nga uji që do t'i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t'i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme''. Gruaja i tha: ''Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!''. Jezusi i tha: ''Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu''. Gruaja u përgjigj dhe i tha: ''Unë nuk kam burrë''. Jezusi i tha: ''Mirë the: "Nuk kam burrë", sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!''. Gruaja i tha: ''Zot, po shoh se ti je një profet. Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë''. Jezusi i tha: ''O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin. Ju adhuroni atë që s'e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga judenjtë. Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën''. Gruaja i tha: ''Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë''. Jezusi i tha: ''Unë jam, ai që po të flet!''. Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: ''Çfarë do?'' ose: ''Pse po flet me të?''. Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve: ''Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?''. Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai. Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: ''Mësues, ha''. Por ai u tha atyre: ''Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s'e njihni''. Prandaj dishepujt i thoshin njëri-tjetrit: ''Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?''. Jezusi u tha atyre: ''Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij. A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen. Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen së bashku. Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr". Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre''. Dhe shumë samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: ''Ai më tregoi gjithçka kam bërë''. Por kur samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë. Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij. Dhe ata i thoshin gruas: ''S'është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës''. Pra, si kaluan ato dy ditë, ai u nis prej andej dhe shkoi në Galile, sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk nderohet në vendlindjen e vet. Pra, kur arriti në Galile, galileasit e pritën, sepse kishin parë të gjitha ato që kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festë.