Më pas Jezui iu shfaq përsëri dishepujve pranë liqenit të Tiberiadës dhe iu shfaq kështu: Simon Pjetri, Thomai, që e quanin Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy dishepuj të tjerë ishin bashkë. Simon Pjetri u tha: «Po shkoj të peshkoj». Ata i thanë: «Po vijmë edhe ne me ty». Shkuan e hipën në varkë, por atë natë nuk zunë asgjë.
Kur kishte zbardhur tashmë, Jezui po qëndronte në breg, por dishepujt nuk e njohën që ishte ai. Atëherë Jezui u tha: «Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata iu përgjigjën: «Jo». Ai u tha: «Hidhni rrjetën në të djathtë të varkës dhe do të kapni peshq». E hodhën rrjetën dhe nuk mund ta tërhiqnin nga numri i madh i peshqve. Dishepulli që Jezui e donte i tha Pjetrit: «Është Zoti». Kur dëgjoi se ishte Zoti, Simon Pjetri veshi rrobat, se ishte i zhveshur, e u hodh në liqen. Erdhën edhe dishepujt e tjerë me varkë duke tërhequr rrjetën e peshqve. Ata ishin rreth njëqind metra larg nga bregu.
Kur dolën në tokë, panë një zjarr me prush mbi të cilin ishin vënë peshk e bukë. Jezui u tha: «Sillni nga peshqit që sapo zutë!». Simon Pjetri hipi në varkë dhe nxori në tokë rrjetën të mbushur plot me njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
Jezui u tha: «Ejani të hani!». Asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: «Kush je ti?», sepse e dinin që ishte Zoti. Atëherë Jezui u afrua, mori bukën e ua dha. Po kështu bëri edhe me peshkun.
Kjo ishte tashmë hera e tretë që Jezui u ishte shfaqur dishepujve pasi ishte ngjallur prej të vdekurve.
Kur mbaruan së ngrëni, Jezui i tha Simon Pjetrit: «Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta të tjerët?». Pjetri i tha: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti qengjat e mi!».
Jezui i tha përsëri për herë të dytë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Ruaji delet e mia!».
Jezui e pyeti për herë të tretë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri u trishtua që e pyeti për herë të tretë «A më do?», prandaj i tha: «Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti delet e mia! Me të vërtetë po të them se kur ishe i ri, e ngjishje rripin në brez e shkoje ku të doje, por kur të plakesh do të shtrish duart dhe dikush tjetër do të ta ngjeshë rripin e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje».
Këtë e tha për të treguar se me ç'vdekje do të përlëvdonte Pjetri Perëndinë. Pastaj i tha: «Më ndiq!».
Pjetri u kthye dhe pa se po i ndiqte edhe dishepulli që Jezui e donte, ai që ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezuit gjatë darkës dhe i kishte thënë: «Zot, kush është ai që po të tradhton?». Pjetri, kur e pa, i tha Jezuit: «Zot, po me të ç'do të bëhet?». Jezui i tha: «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet? Ti më ndiq!». Atëherë midis vëllezërve u përhap fjala se ai dishepull nuk do të vdiste, por Jezui nuk kishte thënë se ai nuk do të vdiste, por «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet?».
Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që i shkroi ato. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
Ka edhe shumë gjëra të tjera që bëri Jezui që, po të shkruheshin një nga një, them se do të bëheshin aq libra sa as bota e tërë nuk do t'i nxinte.