Gjoni 21:1-25
Gjoni 21:1-25 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Më pas Jezui iu shfaq përsëri dishepujve pranë liqenit të Tiberiadës dhe iu shfaq kështu: Simon Pjetri, Thomai, që e quanin Binjak, Natanaeli nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy dishepuj të tjerë ishin bashkë. Simon Pjetri u tha: «Po shkoj të peshkoj». Ata i thanë: «Po vijmë edhe ne me ty». Shkuan e hipën në varkë, por atë natë nuk zunë asgjë. Kur kishte zbardhur tashmë, Jezui po qëndronte në breg, por dishepujt nuk e njohën që ishte ai. Atëherë Jezui u tha: «Djem, mos keni ndonjë gjë për të ngrënë?». Ata iu përgjigjën: «Jo». Ai u tha: «Hidhni rrjetën në të djathtë të varkës dhe do të kapni peshq». E hodhën rrjetën dhe nuk mund ta tërhiqnin nga numri i madh i peshqve. Dishepulli që Jezui e donte i tha Pjetrit: «Është Zoti». Kur dëgjoi se ishte Zoti, Simon Pjetri veshi rrobat, se ishte i zhveshur, e u hodh në liqen. Erdhën edhe dishepujt e tjerë me varkë duke tërhequr rrjetën e peshqve. Ata ishin rreth njëqind metra larg nga bregu. Kur dolën në tokë, panë një zjarr me prush mbi të cilin ishin vënë peshk e bukë. Jezui u tha: «Sillni nga peshqit që sapo zutë!». Simon Pjetri hipi në varkë dhe nxori në tokë rrjetën të mbushur plot me njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye. Jezui u tha: «Ejani të hani!». Asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: «Kush je ti?», sepse e dinin që ishte Zoti. Atëherë Jezui u afrua, mori bukën e ua dha. Po kështu bëri edhe me peshkun. Kjo ishte tashmë hera e tretë që Jezui u ishte shfaqur dishepujve pasi ishte ngjallur prej të vdekurve. Kur mbaruan së ngrëni, Jezui i tha Simon Pjetrit: «Simon i Gjonit, a më do më shumë se këta të tjerët?». Pjetri i tha: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti qengjat e mi!». Jezui i tha përsëri për herë të dytë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri iu përgjigj: «Po, Zot, ti e di se të dua». Jezui i tha: «Ruaji delet e mia!». Jezui e pyeti për herë të tretë: «Simon i Gjonit, a më do?». Pjetri u trishtua që e pyeti për herë të tretë «A më do?», prandaj i tha: «Zot, ti i di të gjitha. Ti e di se të dua». Jezui i tha: «Kulloti delet e mia! Me të vërtetë po të them se kur ishe i ri, e ngjishje rripin në brez e shkoje ku të doje, por kur të plakesh do të shtrish duart dhe dikush tjetër do të ta ngjeshë rripin e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje». Këtë e tha për të treguar se me ç'vdekje do të përlëvdonte Pjetri Perëndinë. Pastaj i tha: «Më ndiq!». Pjetri u kthye dhe pa se po i ndiqte edhe dishepulli që Jezui e donte, ai që ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezuit gjatë darkës dhe i kishte thënë: «Zot, kush është ai që po të tradhton?». Pjetri, kur e pa, i tha Jezuit: «Zot, po me të ç'do të bëhet?». Jezui i tha: «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet? Ti më ndiq!». Atëherë midis vëllezërve u përhap fjala se ai dishepull nuk do të vdiste, por Jezui nuk kishte thënë se ai nuk do të vdiste, por «Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ty ç'të duhet?». Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që i shkroi ato. Ne e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. Ka edhe shumë gjëra të tjera që bëri Jezui që, po të shkruheshin një nga një, them se do të bëheshin aq libra sa as bota e tërë nuk do t'i nxinte.
Gjoni 21:1-25 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë: Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë. Simon Pjetri u tha atyre: ''Po shkoj të peshkoj''. Ata i thanë: ''Po vijmë edhe ne me ty''. Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë. Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi. Dhe Jezusi u tha atyre: ''O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?''. Ata iu përgjigjën: ''Jo!''. Dhe ai u tha atyre: ''Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni''. E hodhën, pra, dhe s'mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve. Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: ''Është Zoti''. Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det. Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq. Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë. Jezusi u tha atyre: ''Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!''. Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithëse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye. Jezusi u tha atyre: ''Ejani të hani mëngjes''. Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: ''Kush je?'', duke ditur se ishte Zoti. Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun. Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri. Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: ''Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti qengjat e mi!''. Përsëri e pyeti për të dytën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Iu përgjigj: ''Po, Zot, ti e di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Ki kujdes për delet e mia''. E pyeti për të tretën herë: ''Simon nga Jona, a më do ti mua?''. Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: ''A më do ti mua?'', dhe iu përgjigj: ''Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua''. Jezusi i tha: ''Kulloti delet e mia. Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t'i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje''. I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç'vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: ''Ndiqmë''. Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: ''Zot, kush është ai që po të tradhton?''. Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: ''Zot, dhe me të ç'do të bëhet?''. Jezusi iu përgjigj: ''Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç'të duhet? Ti ndiqmë!''. Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: ''Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç'të duhet?''. Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t'i nxinte librat që do të mund të shkruheshin. Amen.