Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 17:7-21

Gjoni 17:7-21 AL1

Tani ata e dinë se gjithçka që më ke dhënë është prej teje, sepse fjalët që më dhe mua ua dhashë atyre. Ata i pranuan, kuptuan se unë kam dalë me të vërtetë prej teje dhe besuan se ti më dërgove. Unë po lutem për ta. Nuk po lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë. Gjithçka e imja është e jotja dhe gjithçka e jotja është e imja dhe në ta jam përlëvduar. Unë nuk jam më në botë. Ata janë në botë, ndërsa unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd, në emrin që më dhe mua, që të jenë një, sikurse ne. Kur isha me ta, i ruaja në emrin tënd, në emrin që ti më dhe. I mbrojta dhe asnjë prej tyre nuk humbi, përveç birit të humbjes që të përmbushet Shkrimi. Tani po vij te ti dhe këto gjëra i them në botë, që ta kenë të plotë gëzimin tim në veten e tyre. Unë u dhashë atyre fjalën tënde dhe bota i urreu, sepse ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota. Nuk të kërkoj t'i heqësh nga bota, por t'i ruash nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota. Shenjtëroji me të vërtetën; fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më dërgove mua në botë, ashtu edhe unë i dërgova ata në botë. Unë e shenjtëroj veten time për ta, që edhe ata të jenë të shenjtëruar me të vërtetën. Nuk të lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua nëpërmjet fjalës së tyre, kështu që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, edhe ata të jenë në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Gjoni 17:7-21

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë