Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 17:7-21

Gjoni 17:7-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Tani ata e dinë se gjithçka që më ke dhënë është prej teje, sepse fjalët që më dhe mua ua dhashë atyre. Ata i pranuan, kuptuan se unë kam dalë me të vërtetë prej teje dhe besuan se ti më dërgove. Unë po lutem për ta. Nuk po lutem për botën, por për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë. Gjithçka e imja është e jotja dhe gjithçka e jotja është e imja dhe në ta jam përlëvduar. Unë nuk jam më në botë. Ata janë në botë, ndërsa unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, ruaji në emrin tënd, në emrin që më dhe mua, që të jenë një, sikurse ne. Kur isha me ta, i ruaja në emrin tënd, në emrin që ti më dhe. I mbrojta dhe asnjë prej tyre nuk humbi, përveç birit të humbjes që të përmbushet Shkrimi. Tani po vij te ti dhe këto gjëra i them në botë, që ta kenë të plotë gëzimin tim në veten e tyre. Unë u dhashë atyre fjalën tënde dhe bota i urreu, sepse ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota. Nuk të kërkoj t'i heqësh nga bota, por t'i ruash nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse dhe unë nuk jam nga bota. Shenjtëroji me të vërtetën; fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më dërgove mua në botë, ashtu edhe unë i dërgova ata në botë. Unë e shenjtëroj veten time për ta, që edhe ata të jenë të shenjtëruar me të vërtetën. Nuk të lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua nëpërmjet fjalës së tyre, kështu që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty, edhe ata të jenë në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.

Gjoni 17:7-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Tani ata kanë njohur se të gjitha gjërat që ti më ke dhënë vijnë prej teje, sepse ua kam dhënë atyre fjalët që ti më ke dhënë mua; dhe ata i kanë pranuar dhe kanë njohur se me të vërtetë unë dola nga ti, dhe kanë besuar se ti më ke dërguar. Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë. Dhe të gjitha gjërat e mia janë të tuat, dhe gjërat e tua janë të miat; dhe unë jam përlëvduar në to. Tani unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne! Kur isha me ata në botë, unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi. Por tani unë po vij te ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi im të bëhet i plotë në ta. Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës. Unë nuk kërkoj që ti t'i heqësh nga bota, por që ti t'i mbrosh nga i ligu. Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota. Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta. Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë. Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë. Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre, që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.