Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 13:1-20

Gjoni 13:1-20 AL1

Ishte para festës së Pashkës. Jezui e dinte se kishte ardhur ora të shkonte nga kjo botë tek Ati. Ai i kishte dashur të vetët që ishin në botë dhe i kishte dashur deri në fund. Gjatë darkës djalli kishte futur tashmë tradhtinë në zemrën e Judës së Simon Iskariotit. Jezui e dinte se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe se nga Perëndia kishte dalë e te Perëndia po kthehej. Atëherë u ngrit nga darka, hoqi petkun, mori një peshqir dhe e lidhi në brez. Pastaj hodhi ujë në një enë e filloi t'ua lante këmbët dishepujve e t'ua fshinte me peshqirin që kishte lidhur në brez. Kur mbërriti te Simon Pjetri, ky i tha: «Zot, ti të më lash këmbët?». Jezui iu përgjigj: «Tani ti nuk e kupton këtë që po bëj, por do ta kuptosh më vonë». Pjetri i tha: «Nuk do të m'i lash kurrë këmbët!». Jezui u përgjigj: «Po nuk t'i lava, nuk ke pjesë me mua». Simon Pjetri i tha: «Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart, edhe kokën». Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë». Jezui e dinte kush do ta tradhtonte prandaj tha: «Ju nuk jeni të gjithë të pastër». Pasi u lau këmbët, Jezui veshi rrobat, u ul përsëri e u tha: «E kuptoni këtë që ju bëra? Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam. Nëse unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët, edhe ju duhet t'ia lani këmbët njëri-tjetrit. Ju dhashë shembullin që të bëni siç bëra unë. Me të vërtetë po ju them se asnjë shërbëtor nuk është më i madh se i zoti dhe asnjë i dërguar nuk është më i madh se ai që e ka dërguar. Nëse i keni kuptuar këto gjëra dhe nëse i zbatoni, do të jeni të lumë. Nuk po flas për të gjithë ju. Unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet Shkrimi: ai që ha bukë me mua ka ngritur thembrën kundër meje. Po jua them që tani, përpara se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur të besoni se unë jam. Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që do të dërgoj unë, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi».