Gjoni 13:1-20
Gjoni 13:1-20 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ishte para festës së Pashkës. Jezui e dinte se kishte ardhur ora të shkonte nga kjo botë tek Ati. Ai i kishte dashur të vetët që ishin në botë dhe i kishte dashur deri në fund. Gjatë darkës djalli kishte futur tashmë tradhtinë në zemrën e Judës së Simon Iskariotit. Jezui e dinte se Ati i kishte dhënë gjithçka në dorë dhe se nga Perëndia kishte dalë e te Perëndia po kthehej. Atëherë u ngrit nga darka, hoqi petkun, mori një peshqir dhe e lidhi në brez. Pastaj hodhi ujë në një enë e filloi t'ua lante këmbët dishepujve e t'ua fshinte me peshqirin që kishte lidhur në brez. Kur mbërriti te Simon Pjetri, ky i tha: «Zot, ti të më lash këmbët?». Jezui iu përgjigj: «Tani ti nuk e kupton këtë që po bëj, por do ta kuptosh më vonë». Pjetri i tha: «Nuk do të m'i lash kurrë këmbët!». Jezui u përgjigj: «Po nuk t'i lava, nuk ke pjesë me mua». Simon Pjetri i tha: «Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart, edhe kokën». Jezui i tha: «Kush është i larë, është krejt i pastër dhe nuk ka nevojë të lajë veçse këmbët. Ju jeni të pastër, por jo të gjithë». Jezui e dinte kush do ta tradhtonte prandaj tha: «Ju nuk jeni të gjithë të pastër». Pasi u lau këmbët, Jezui veshi rrobat, u ul përsëri e u tha: «E kuptoni këtë që ju bëra? Ju më quani Mësues dhe Zot dhe mirë thoni, sepse jam. Nëse unë pra, Zoti dhe Mësuesi, ju lava këmbët, edhe ju duhet t'ia lani këmbët njëri-tjetrit. Ju dhashë shembullin që të bëni siç bëra unë. Me të vërtetë po ju them se asnjë shërbëtor nuk është më i madh se i zoti dhe asnjë i dërguar nuk është më i madh se ai që e ka dërguar. Nëse i keni kuptuar këto gjëra dhe nëse i zbatoni, do të jeni të lumë. Nuk po flas për të gjithë ju. Unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet Shkrimi: ai që ha bukë me mua ka ngritur thembrën kundër meje. Po jua them që tani, përpara se të ndodhë, që kur të ketë ndodhur të besoni se unë jam. Me të vërtetë po ju them se kush pranon atë që do të dërgoj unë, më pranon mua dhe kush më pranon mua, pranon atë që më dërgoi».
Gjoni 13:1-20 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund. Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte, Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej, u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh. Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t'ua fshinte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur. Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: ''Zot, ti të m'i lash këmbët mua?''. Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj''. Pjetri i tha: ''Ti kurrë nuk do të m'i lash këmbët''. Jezusi iu përgjigj: ''Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua''. Simon Pjetri i tha: ''Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën''. Jezusi i tha: ''Ai që është i larë, s'ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë''. Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: ''Nuk jeni të gjithë të pastër''. Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: ''A e kuptoni këtë që ju kam bërë? Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam. Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t'i lani këmbët njëri-tjetrit. Unë, në fakt, ju kam dhënë shembullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar. Po t'i dini këto gjëra, të lum jeni ju nëse do t'i bëni. Nuk po flas për ju të gjithë; unë i njoh ata që kam zgjedhur, por duhet të përmbushet ky Shkrim: "Ai që ha bukën me mua, ka ngritur thembrën kundër meje". Po ju them që tani, para se të ndodhë, që, kur të ketë ndodhur, të besoni se unë jam Krishti. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Kush pranon atë që dërgoj unë, më pranon mua; dhe kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar''.