Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 12:20-50

Gjoni 12:20-50 AL1

Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë». «Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë. O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj». Turma që rrinte e dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll». Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, por për ju. Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote! Kur unë të lartësohem nga toka, do t'i tërheq të gjithë pranë vetes». Këtë e tha për të treguar me ç'vdekje do të vdiste. Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?». Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon. Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës». Pasi tha këto, Jezui iku e u fsheh prej tyre. Megjithëse kishte bërë kaq shenja para syve të tyre, ata nuk besonin në të, që të përmbushej fjala e profetit Isai që ka thënë: Zot, kush i besoi lajmit tonë? Kujt iu zbulua fuqia e Zotit? Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe: i verboi sytë e tyre dhe i ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos shohin me sy, apo të kuptojnë me zemër që të mos kthehen tek unë për t'i shëruar. Këto tha Isaia, sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të. Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat. Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë. Jezui tha me zë të lartë: «Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi. Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi. Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë. Nëse dikush dëgjon fjalët e mia, por nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj, sepse nuk kam ardhur për ta gjykuar botën, por për ta shpëtuar atë. Atë që më hedh poshtë mua e nuk pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit. Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më urdhëroi ç'të them e ç'të flas. Unë e di se urdhërimi i tij është jetë e amshuar. Ato që them, unë i them siç m'i tha Ati».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë