Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 12:20-50

Gjoni 12:20-50 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Midis atyre që kishin shkuar në Jerusalem për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa helenë. Ata shkuan te Filipi, që ishte nga Betsaida e Galilesë, e iu lutën: «Zotëri, duam të takojmë Jezuin». Filipi shkoi e i tha Andreas. Pastaj Andrea dhe Filipi shkuan e i thanë Jezuit. Jezui u përgjigj: «Erdhi ora që të përlëvdohet Biri i njeriut! Me të vërtetë po ju them se nëse kokrra e grurit, që ka rënë në tokë, nuk vdes, mbetet e vetme, por nëse vdes, jep shumë fryt. Kush e do jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e amshuar. Nëse dikush më shërben mua, le të vijë pas meje dhe ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Nëse dikush më shërben mua, Ati do ta nderojë». «Tani shpirti im është i tronditur, por çfarë të them? Të them: “Atë, shpëtomë nga kjo orë”? Por unë erdha pikërisht për këtë orë. O Atë, përlëvdoje emrin tënd!». Atëherë erdhi një zë nga qielli: «E kam përlëvduar e përsëri do ta përlëvdoj». Turma që rrinte e dëgjonte, tha: «Ishte një bubullimë». Të tjerë thanë: «I foli një engjëll». Jezui u përgjigj: «Ky zë nuk erdhi për mua, por për ju. Tani bëhet gjykimi i kësaj bote! Tani do të hidhet jashtë sundimtari i kësaj bote! Kur unë të lartësohem nga toka, do t'i tërheq të gjithë pranë vetes». Këtë e tha për të treguar me ç'vdekje do të vdiste. Turma iu përgjigj: «Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë. Si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të lartësohet? Kush është ky Biri i njeriut?». Jezui u tha: «Edhe për pak kohë drita është me ju. Ecni sa keni dritë, që të mos ju zërë errësira. Kush ecën në errësirë nuk e di ku shkon. Për sa kohë keni dritën, besoni në dritën, që të bëheni bij të dritës». Pasi tha këto, Jezui iku e u fsheh prej tyre. Megjithëse kishte bërë kaq shenja para syve të tyre, ata nuk besonin në të, që të përmbushej fjala e profetit Isai që ka thënë: Zot, kush i besoi lajmit tonë? Kujt iu zbulua fuqia e Zotit? Prandaj nuk mund të besonin, sepse Isaia ka thënë edhe: i verboi sytë e tyre dhe i ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos shohin me sy, apo të kuptojnë me zemër që të mos kthehen tek unë për t'i shëruar. Këto tha Isaia, sepse e pa lavdinë e Jezuit dhe foli për të. Megjithatë shumë nga krerët e judenjve besuan në Jezuin, por nuk e rrëfenin haptas, nga frika e farisenjve, që të mos përjashtoheshin nga sinagogat. Ata donin më shumë lavdinë e njerëzve se lavdinë e Perëndisë. Jezui tha me zë të lartë: «Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më dërgoi. Kush më sheh mua, sheh atë që më dërgoi. Unë, drita, erdha në botë, që kushdo që beson në mua, të mos mbetet në errësirë. Nëse dikush dëgjon fjalët e mia, por nuk i zbaton, unë nuk e gjykoj, sepse nuk kam ardhur për ta gjykuar botën, por për ta shpëtuar atë. Atë që më hedh poshtë mua e nuk pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjala që fola, ajo do ta gjykojë në ditën e fundit. Sepse unë nuk fola nga vetja ime, por Ati që më dërgoi, ai më urdhëroi ç'të them e ç'të flas. Unë e di se urdhërimi i tij është jetë e amshuar. Ato që them, unë i them siç m'i tha Ati».

Gjoni 12:20-50 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa grekë. Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: ''Zot, duam të shohim Jezusin''. Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit. Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: ''Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet, Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë. Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë. O Atë, përlëvdo emrin tënd!'' Atëherë një zë erdhi nga qielli: ''E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!''. Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshin: ''Një engjëll i ka folur!''. Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju. Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote! Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t'i tërheq të gjithë tek unë''. Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç'lloj vdekje duhet të vdiste. Turma iu përgjigj: ''Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?''. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon''. ''Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës''. Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre. Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të, që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: ''Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?''. Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha: ''Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj''. Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të. Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga, sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë. Pastaj Jezusi thirri dhe tha: ''Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar. Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar. Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë. Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën. Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit. Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç'duhet të them e të shpall. Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m'i ka thënë Ati''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë