Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 10:1-30

Gjoni 10:1-30 AL1

«Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli. Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë. Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet. Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari. Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im». Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?». Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. Unë dhe Ati jemi një».

Devocione dhe Plane Leximi falas për Gjoni 10:1-30

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë