Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 10:1-30

Gjoni 10:1-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

«Me të vërtetë po ju them: kush nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hyn nga një anë tjetër duke u kacavjerrë, është vjedhës e kusar. Kush hyn nga dera, ai është bariu i deleve. Rojtari ia hap derën dhe delet ia dëgjojnë zërin. Ai i thërret delet e tij me emër e u prin përjashta. Pasi i ka nxjerrë delet e veta, ecën para tyre dhe ato i shkojnë pas, sepse ia njohin zërin. Një të huaji nuk i shkojnë pas, por largohen prej tij, sepse të huajve nuk ia njohin zërin». Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e kuptuan për çfarë u foli. Jezui u tha përsëri: «Me të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë sa erdhën para meje janë vjedhës e kusarë, por delet nuk i dëgjuan. Unë jam dera. Kush hyn nëpërmjet meje do të shpëtojë. Do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullotë. Vjedhësi vjen vetëm për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar. Unë erdha që të kenë jetë e ta kenë të plotë. Unë jam bariu i mirë. Bariu i mirë jep jetën për delet. Ndërsa rrogëtari, që nuk është bari e nuk i ka delet të tijat, kur shikon ujkun duke ardhur, i lë delet e ikën. Ujku i rrëmben ato e i shpërndan, sepse rrogëtari është rrogëtar e nuk shqetësohet për delet. Unë jam bariu i mirë. Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu si Ati më njeh mua, edhe unë e njoh Atin dhe jap jetën për delet. Kam edhe dele të tjera që nuk janë prej kësaj vathe. Duhet t'i mbledh edhe ato. Do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një tufë dhe një bari. Prandaj më do Ati, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma marrë, por unë e jap vetë. Kam pushtet ta jap e kam pushtet ta marr përsëri. Këtë urdhërim mora nga Ati im». Këto fjalë shkaktuan përsëri përçarje mes judenjve. Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?». Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?». Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër. Jezui po ecte në tempull në Portikun e Solomonit. Atëherë judenjtë e rrethuan e i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur». Jezui u përgjigj: «Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua, por ju nuk besoni, se nuk jeni nga delet e mia. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh e ato më ndjekin pas. Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m'i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij. Unë dhe Ati jemi një».

Gjoni 10:1-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar; kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve. Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë. Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij. Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve''. Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste. Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar. Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë. Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet. Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet. Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet. Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet. Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm. Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''. Atëherë lindi përsëri një përçarje midis judenjve për shkak të këtyre fjalëve. Dhe shumë nga ata thoshin: ''Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?''. Të tjerë thoshin: ''Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t'ua hap sytë të verbërve?''. U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër. Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit. E rrethuan, pra, judenjtë dhe i thanë: ''Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas''. Jezusi u përgjigj atyre: ''Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua. Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin; dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime. Ati im, që m'i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim. Unë dhe Ati jemi një''.