Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 40

40
Jeremia mbetet në Judë
1Fjala që iu drejtua Jeremisë prej Zotit, pasi Nebuzaradani, kryerojtari, e la të largohej nga Ramahu, kur e mori të lidhur në vargonj bashkë me të gjithë të shpërngulurit e Jerusalemit e të Judës që po shpërnguleshin në Babiloni. 2Kryerojtari e mori Jereminë e i tha: «Zoti, Perëndia yt, e kishte lajmëruar këtë zezonë për këtë vend. 3Zoti e solli dhe kreu çfarë kishte lajmëruar, se ju mëkatuat kundër Zotit dhe nuk e dëgjuat zërin e tij, prandaj ju ndodhi kjo gjë. 4E tani, ja, sot po të liroj prej këtyre vargonjve që ke në dorë. Nëse të duket gjë e mirë të vish me mua në Babiloni, eja e unë do të kujdesem për ty. Por nëse të duket gjë e keqe të vish me mua në Babiloni, ndalu. Shiko, tërë vendi është para teje. Kudo të të duket mirë dhe e drejtë të shkosh, atje shko». 5E meqë nuk po kthehej ende, i tha: «Kthehu te Gedaliahu, biri i Ahikamit, të birit të Shafanit, të cilin mbreti i Babilonisë e caktoi mbi qytetet e Judës, dhe rri atje me të mes popullit, ose shko kudo të duket e drejtë të shkosh». Pastaj kryerojtari i dha ushqime e një dhuratë dhe e la të shkonte. 6Atëherë Jeremia shkoi te Gedaliahu, biri i Ahikamit, në Micpah, e jetoi me të mes popullit që kishte mbetur në vend.
7Të gjithë prijësit e ushtrive, që gjendeshin arave bashkë me ushtarët, dëgjuan se mbreti i Babilonisë kishte caktuar Gedaliahun, birin e Ahikamit, përgjegjës të vendit dhe i kishte besuar burrat, gratë, të miturit e skamnorët e vendit, që nuk ishin shpërngulur në Babiloni. 8Atëherë shkuan te Gedaliahu, në Micpah, Ishmaeli, biri i Netanjahut, Johanani, biri i Kareahut, Serajahu, biri i Tanhumetit, bijtë e Efahut, netofatitit, Jezanjahu, biri i Makatitit, ata vetë dhe njerëzit e tyre. 9Gedaliahu, biri i Ahikamit, të birit të Shafanit, iu betua atyre dhe ushtarëve të tyre e tha: «Mos kini frikë prej shërbëtorëve të kaldenjve. Qëndroni në vend, shërbejini mbretit të Babilonisë e do t'ju shkojë mbarë. 10Ndërsa unë, ja, do të banoj në Micpah, për t'ju përfaqësuar para kaldenjve që do të vijnë te ne. Megjithatë, ju mblidheni verën, frytet e stinës dhe vajin. Vërini në enët tuaja e banoni në qytetet që keni pushtuar». 11Edhe të gjithë judenjtë, që gjendeshin në Moab, mes amonitëve, në Edom e në të gjitha vendet e tjera, dëgjuan se mbreti i Babilonisë e kishte lënë një pjesë të popullit të Judës dhe kishte caktuar përgjegjës të tyre Gedaliahun, birin e Ahikamit, të birit të Shafanit. 12Të gjithë judenjtë u kthyen prej të gjitha vendeve ku ishin shpërndarë dhe erdhën në dheun e Judës, në Micpah, te Gedaliahu. Ata mblidhnin verën dhe frytet e stinës me begati të madhe.
13Johanani, biri i Kareahut, dhe të gjithë prijësit e ushtrive të veta, që gjendeshin nëpër ara, erdhën te Gedaliahu në Micpah 14e i thanë: «A e di se Baalisi, mbreti i amonitëve, ka dërguar Ishmaelin, birin e Netanjahut, për të të vrarë?». Por Gedaliahu, biri i Ahikamit, nuk u besoi. 15Atëherë Johanani, biri i Kareahut, i tha fshehurazi Gedaliahut, në Micpah: «Më lër të shkoj e ta vras Ishmaelin, birin e Netanjahut, e nuk do ta marrë vesh askush. Pse duhet të të vrasë ai e të shpërndahen të gjithë judenjtë e mbledhur rreth teje e të marrë fund pjesa tjetër e popullit të Judës?». 16Por Gedaliahu, biri i Ahikamit, iu përgjigj Johananit, të birit të Kareahut: «Mos e bëj këtë gjë, sepse po thua gjëra të pavërteta për Ishmaelin».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 40: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr