Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 4

4
1«Nëse do të kthehesh, o Izrael, kumton Zoti,
tek unë kthehu.
Nëse i flak prej meje pështirësitë e tua
e nuk bredh,
2e nëse betohesh: “Pasha Zotin!”,
me vërtetësi, me drejtësi e me të drejtë,
falë tij kombet do të bekohen,
falë tij do të mburren.
3Kështu u thotë Zoti njerëzve të Judës e të Jerusalemit:
hapni tokë të re
e mos mbillni ndër ferra.
4Rrethprituni për Zotin,
flakeni lafshën prej zemrës,
o njerëzit e Judës
e banorët e Jerusalemit,
që të mos flakërojë si zjarr zemërimi im
e të mos djegë pa u shuar,
për shkak të bëmave tuaja të liga».
Rrënimi vjen nga veriu
5«Njoftoni nëpër Judë, le të merret vesh në Jerusalem e shpallni:
bini borisë nëpër vend,
bërtitni fort e thoni:
mblidhuni,
të hyjmë në qytetet e fortifikuara!
6Lartësoni një shenjë drejt Sionit,
merrni arratinë e mos ngurroni,
se nga veriu po e sjell mjerimin
dhe rrënimin e madh.
7Luani u ngrit nga strofulli i vet,
doli për udhë
rrënimtari i kombeve,
doli nga vendi i tij
për ta shkretuar vendin tuaj.
Qytetet tuaja,
rrënoja pa banorë do të jenë.
8Prandaj mbulohuni me grathore,
vajtoni e vini kujën,
se nuk do të zmbrapset
zemërimi flakërues i Zotit.
9Atë ditë, kumton Zoti, do t'i lëshojë zemra mbretin dhe princat. Priftërinjtë do të çoroditen dhe profetët do të trullosen. 10Unë thashë: “Ah, Zot, Zoti im, me të vërtetë e paske gënjyer këtë popull dhe Jerusalemin, kur i the: ‘Do të keni paqe’, por ja që shpata mbërriti në gurmaz”.
11Në atë kohë do t'i thuhet këtij populli dhe Jerusalemit: “Drejt bijës së popullit tim fryn era përzhitëse e pllajave të shkretëtirës, por jo për të hedhur e as për të pastruar. 12Një erë rrëmbyese po vjen për mua. Tani edhe unë do të flas në gjyq kundër tyre”.
13Ja, ai përparon si reja,
porsi stuhia karrocat e tij.
Kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat.
Mjerë ne, se morëm fund.
14Pastroje zemrën nga ligësia, Jerusalem,
që të shpëtosh.
Deri kur do t'i mbash në gji
mendimet e tua të mbrapshta?
15Se një zë lajmëron nga Dani,
nga kodrat e Efraimit ai shpall mjerimin.
16Kujtojuani kombeve,
njoftojeni Jerusalemin:
pushtuesit po vijnë nga një dhe i largët,
kundër qyteteve të Judës lëshojnë klithma.
17E kanë rrethuar si rojat e arës,
se ngriti krye kundër meje, kumton Zoti.
18Sjellja jote dhe veprat e tua
ta bënë këtë.
Ky është fati yt i hidhur
që të ka mbërritur deri në zemër».
Rrënimi i Judës
19«U përvëlova, u përvëlova! U kapita.
Po më plas zemra,
po më dridhet zemra.
Nuk mund të hesht,
se dëgjova zërin e borisë,
kushtrimin e betejës.
20Rrënim përmbi rrënim lajmërohet,
se mbarë dheu do të rrënohet.
Befas tendat e mia u rrënuan
e pëlhurat e mia në një çast.
21Deri kur do ta shikoj flamurin
e do të dëgjoj zërin e borisë?
22Se i çmendur është populli im
e nuk më njeh.
Janë bij të marrë
që nuk kuptojnë.
Janë të zgjuar për të bërë të keqen,
por të mirën nuk dinë ta bëjnë.
23Shikova tokën dhe, ja, e shkretë dhe e zbrazët.
Edhe qiellin, por nuk kishte ndriçues.
24Shikova malet, dhe, ja, ato dridhen,
të gjitha kodrat lëkunden.
25Shikova dhe, ja, nuk ka njeri,
shpendët e qiellit kanë ikur të tërë.
26Shikova dhe, ja, toka pjellore ishte e shkretë,
të gjitha qytetet e saj ishin shembur para Zotit,
para zemërimit të tij përcëllues.
27Sepse kështu thotë Zoti: “Mbarë toka do të rrënohet, por nuk do ta zhbij krejt.
28Prandaj, toka do të mbajë zi
e qielli përsipër do të ngryset,
se fola e vendosa
e nuk do të pendohem, as do të tërhiqem”.
29Nga zëri i kalorësit dhe i harkëtarit
çdo qytet merr arratinë,
çajnë nëpër shkurre, ngjiten nëpër shkëmbinj,
çdo qytet braktiset,
asnjë banor nuk mbetet.
30Po ti, o e shkretuar, çfarë do të bësh?
Edhe sikur të vishesh me purpur,
edhe sikur të stolisesh me ar,
edhe sikur t'i lyesh sytë,
që të të duken të mëdhenj,
kot zbukurohesh.
Dashnorët e tu do të të përçmojnë,
ata kërkojnë të të marrin shpirtin.
31Dëgjova një zë si ai i gruas në dhimbje,
një ankim, si i asaj që lind për herë të parë:
është zëri i bijës së Sionit, që gulçon
e shtrin duart:
“Mjerë unë!
Po më fiket shpirti për shkak të vrastarëve”».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr