Jeremia 35
35
Besnikëria e rekabitëve
1Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë në kohën e Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, e i tha: 2«Shko te rekabitët e folu. Futi në tempullin e Zotit, në njërën prej dhomave, e jepu të pinë verë». 3Atëherë mora Jazanjahun, birin e Jeremisë, të birit të Habacinjahut, vëllezërit e tij dhe të gjithë bijtë e tij. 4I futa në tempullin e Zotit, në dhomën e bijve të Kanaanit, të birit të Igdaliahut, njeriut të Perëndisë, që gjendet afër dhomës së prijësve, sipër dhomës së Masejahut, të birit të Shalumit, rojtarit të pragut. 5Pastaj vendosa para bijve të shtëpisë së rekabitëve brokat plot me verë dhe kupat e u thashë: «Pini verë!». 6Ata u përgjigjën: «Nuk do të pimë verë, sepse Jonadabi, biri i Rekabit, atit tonë, na ka urdhëruar e na ka thënë: “Nuk do të pini verë kurrë as ju, as bijtë tuaj. 7Nuk do të ndërtoni shtëpi, nuk do të hidhni farë, as do të mbillni vresht, por do të banoni nëpër tenda gjatë gjithë ditëve tuaja, që të jetoni gjatë mbi dheun ku jeni të huaj”. 8Ne iu bindëm zërit të Jonadabit, birit të Rekabit, atit tonë, për gjithçka na urdhëroi që të mos pinim verë kurrë as ne, as gratë tona, as bijtë tanë, as bijat tona, 9të mos ndërtonim shtëpi për të banuar në to, të mos kishim as vresht, as arë, as farë, 10prandaj banuam në tenda, u bindëm dhe bëmë gjithçka na urdhëroi Jonadabi, ati ynë. 11Kur erdhi Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, kundër vendit tonë, thamë: “Ejani të hyjmë në Jerusalem e t'i ikim ushtrisë së kaldenjve e ushtrisë së arameasve”. E tani banojmë në Jerusalem».
12Atëherë Jeremisë iu drejtua fjala e Zotit e i tha: 13«Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: shko e thuaji popullit të Judës e banorëve të Jerusalemit: a nuk do ta pranosh qortimin e t'i dëgjosh fjalët e mia? Kumton Zoti. 14Fjalët që u urdhëroi bijve të vet Jonadabi, biri i Rekabit, që të mos pinin verë, janë zbatuar e ata nuk pinë gjer më sot, se iu bindën urdhrit të atit të tyre. Edhe unë ju fola juve pareshtur, por ju nuk më dëgjuat. 15Ju dërgova të gjithë shërbëtorët e mi, profetët, pareshtur jua dërgova, për t'ju thënë: kthehuni, pra, secili prej sjelljes së vet të ligë, ndreqni veprat tuaja, mos ndiqni perënditë e tjerë e mos u shërbeni. Atëherë do të banoni në tokën që ju dhashë juve dhe etërve tuaj. Por ju nuk morët vesh e nuk më dëgjuat. 16Bijtë e Jonadabit, birit të Rekabit, e dëgjuan urdhrin e atit të tyre, por ky popull nuk më dëgjoi mua. 17Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do të sjell mbi Judën e mbi të gjithë banorët e Jerusalemit gjithë të ligën që kam lajmëruar kundër tyre, se u kam folur, por nuk më kanë dëgjuar, i kam thirrur, por nuk më janë përgjigjur».
18Atëherë Jeremia i tha shtëpisë së rekabitëve: «Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: meqë e dëgjuat urdhrin e Jonadabit, atit tuaj, dhe i mbajtët të gjitha urdhërimet e tij e bëtë gjithçka u pati urdhëruar, 19prandaj, thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Jonadabit, birit të Rekabit, nuk do t'i mungojë kurrë dikush që do të qëndrojë para meje».
Aktualisht i përzgjedhur:
Jeremia 35: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020