Këto janë fjalët e letrës që profeti Jeremi i dërgoi nga Jerusalemi tepricës së pleqve të shpërngulur, priftërinjve, profetëve e mbarë popullit, që Nabukodonosori i kishte shpërngulur nga Jerusalemi në Babiloni, pasi kishin ikur nga Jerusalemi mbreti Jehonjah, nëna mbretëreshë, eunukët, prijësit e Judës e të Jerusalemit, zejtarët e farkëtarët. E dërgoi me anë të Eleasahut, birit të Shafanit, dhe të Gemariahut, birit të Hilkiahut, të cilin Sedekia, mbreti i Judës, e dërgoi në Babiloni, te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Në të thuhej: «Kështu u thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit, të gjithë të shpërngulurve, që unë i shpërngula nga Jerusalemi në Babiloni: ndërtoni shtëpi e banoni në to, mbillni kopshte e hani frytet; merrni gra e lindni bij e bija, merrni gra për bijtë tuaj e jepuani burrave bijat tuaja, që të lindin bij e bija. Shumohuni atje e mos fironi. Kërkoni paqen në vendin ku ju kam shpërngulur e lutjuni ZOTIT për të, sepse prej paqes së tij rrjedh paqja juaj. Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: të mos ju mashtrojnë profetët që janë mes jush e as falltarët tuaj. Mos u vini vesh ëndrrave që shohin ata, sepse profetizojnë në rrenë në emrin tim. Ata nuk i kam dërguar unë, kumton ZOTI.
Prandaj, kështu thotë ZOTI: pasi të mbushen plot shtatëdhjetë vjet në Babiloni, do të vij te ju e do ta plotësoj për ju premtimin e mirë për t'ju kthyer në këtë vend. Unë i njoh shestimet e mia për ju, kumton ZOTI. Janë shestime paqeje e jo zezone, për t'ju dhënë të ardhme e shpresë. Ju do të më thërrisni, do të vini e do të më luteni e unë do t'ju dëgjoj. Do të më kërkoni e do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemër, prandaj unë do t'ju lejoj të më gjeni, kumton ZOTI. Do t'i kthej robërit tuaj dhe do t'ju mbledh nga të gjitha kombet e prej të gjitha vendeve ku ju kam dëbuar, kumton ZOTI. Do t'ju kthej në vendin prej nga ju kam shpërngulur.