Jeremia 29:1-14
Jeremia 29:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Këto janë fjalët e letrës që profeti Jeremi i dërgoi nga Jerusalemi tepricës së pleqve të shpërngulur, priftërinjve, profetëve e mbarë popullit, që Nabukodonosori i kishte shpërngulur nga Jerusalemi në Babiloni, pasi kishin ikur nga Jerusalemi mbreti Jehonjah, nëna mbretëreshë, eunukët, prijësit e Judës e të Jerusalemit, zejtarët e farkëtarët. E dërgoi me anë të Eleasahut, birit të Shafanit, dhe të Gemariahut, birit të Hilkiahut, të cilin Sedekia, mbreti i Judës, e dërgoi në Babiloni, te Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë. Në të thuhej: «Kështu u thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit, të gjithë të shpërngulurve, që unë i shpërngula nga Jerusalemi në Babiloni: ndërtoni shtëpi e banoni në to, mbillni kopshte e hani frytet; merrni gra e lindni bij e bija, merrni gra për bijtë tuaj e jepuani burrave bijat tuaja, që të lindin bij e bija. Shumohuni atje e mos fironi. Kërkoni paqen në vendin ku ju kam shpërngulur e lutjuni ZOTIT për të, sepse prej paqes së tij rrjedh paqja juaj. Kështu thotë ZOTI i ushtrive, Perëndia i Izraelit: të mos ju mashtrojnë profetët që janë mes jush e as falltarët tuaj. Mos u vini vesh ëndrrave që shohin ata, sepse profetizojnë në rrenë në emrin tim. Ata nuk i kam dërguar unë, kumton ZOTI. Prandaj, kështu thotë ZOTI: pasi të mbushen plot shtatëdhjetë vjet në Babiloni, do të vij te ju e do ta plotësoj për ju premtimin e mirë për t'ju kthyer në këtë vend. Unë i njoh shestimet e mia për ju, kumton ZOTI. Janë shestime paqeje e jo zezone, për t'ju dhënë të ardhme e shpresë. Ju do të më thërrisni, do të vini e do të më luteni e unë do t'ju dëgjoj. Do të më kërkoni e do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemër, prandaj unë do t'ju lejoj të më gjeni, kumton ZOTI. Do t'i kthej robërit tuaj dhe do t'ju mbledh nga të gjitha kombet e prej të gjitha vendeve ku ju kam dëbuar, kumton ZOTI. Do t'ju kthej në vendin prej nga ju kam shpërngulur.
Jeremia 29:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Këto janë fjalët e letrës që profeti Jeremia i dërgoi nga Jeruzalemi pleqve që kishin mbetur në robëri, priftërinjve, profetëve dhe tërë popullit që Nebukadnetsari kishte çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni. (Kjo ndodhi mbasi dolën nga Jeruzalemi mbreti Jekoniah, mbretëresha, eunukët, princat e Judës dhe të Jeruzalemit, zejtarët dhe kovaçët). Letra u dërgua me anë të Elasahut, birit të Shafanit, dhe me anë të Gemariahut, birit të Hilkiahut, që Sedekia, mbret i Judës, kishte dërguar në Babiloni te Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë. Ajo thoshte: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, tërë të internuarve që unë kam çuar në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni: Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to, mbillni kopshte dhe hani frytet e tyre. Merrni gra dhe bëni bij dhe bija, merrni gra për bijtë tuaj dhe martojini vajzat tuaja që të lindin bij dhe bija, me qëllim që atje të shumoheni dhe të mos pakësoheni. Kërkoni të mirën e qytetit ku ju kam çuar në robëri dhe lutjuni Zotit për të, sepse mirëqenia juaj varet nga mirëqenia e tij. Kështu thotë në të vërtetë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Të mos ju mashtrojnë profetët dhe shortarët tuaj që janë midis jush, mos merrni parasysh ëndrrat që shikoni. Sepse ju profetizojnë në mënyrë të rreme në emrin tim; unë nuk i kam dërguar", thotë Zoti. "Kështu thotë Zoti: Kur të mbushen shtatëdhjetë vjet për Babiloninë, unë do t'ju vizitoj dhe do ta realizoj fjalën time të mirë, duke bërë të riktheheni në këtë vend. Sepse unë i njoh mendimet që kam për ju", thotë Zoti, "mendime paqeje dhe jo të së keqes, për t'ju dhënë një të ardhme dhe një shpresë. Do të më kërkoni dhe do të vini të më luteni, dhe unë do t'ju kënaq. Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj. Unë do të bëj që ju të më gjeni", thotë Zoti, "dhe do t'ju kthej nga robëria juaj; do t'ju mbledh nga të gjitha kombet dhe nga të gjitha vendet ku ju kam shpërndarë", thotë Zoti; "dhe do t'ju çoj përsëri në vendin prej të cilit ju çova në robëri.